Gjashtë projekte në vlerë prej 2.5 milionë euro i ka dorëzuar sot Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor në komunën e Mitrovicës.
Memorandumi i bashkëpunimit i nënshkruar nga Ministrja e MMPH-së, Albena Reshitaj dhe kryetari i komunës së Mitrovicës, Agim Bahtiri ka të bëjë me realizimin e projekteve në fushën e mjedisit dhe planifikimit hapësinor.
Ministrja Reshitaj tha me këtë rast se ia kanë borxh qytetarëve të Mitrovicës sepse siç tha, ata i besuan AKR-së dhe kryetarit Agim Bahtiri.
“Jam e lumtur që kam ardhur në Mitrovicë për të sjellë 6 projekte. Ne ia kemi borxh qytetarëve të Mitrovicës sepse ata na besuan neve dhe ne do ta dëshmojmë që kësaj Mitrovice t’ia kthejmë pamjen për të mirë. Ne do të vazhdojmë. Ky është vetëm fillimi. Projekte mbi 2.5 milionë euro”, tha Reshitaj.
Ajo ka shtuar se Mitrovica duhet të përkrahet më shumë nga të gjitha ministritë.
Kryetari i komunës, Agim Bahtiri ka thënë se është hera e parë që Mitrovica merr përkrahje prej Qeverisë së Kosovës.
“Është hera e parë që Bahtiri ka përkrahje prej qeverisë së Kosovës. Isha atëherë pro që një pjesë të përgjegjësisë së Qeverisë së Republikës së Kosovës ta marrin njerëzit e devotshëm të AKR-së. Falënderoj të gjithë ministrat nga AKR-ja që janë duke bërë një punë të shkëlqyeshme dhe ata duhet të vazhdojnë kështu sepse ka nevojë Kosova për ta, ne si parti kemi ndërgjegje të pastër, punojmë me dinjitet dhe e dimë çka dojmë”, tha Bahtiri.