Një person është arrestuar në Mitrovicë nga Drejtoria për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit.
A.D, është dërguar në mbajtje për 48 orë si i dyshuar për falsifikimin e dokumenteve dhe shitjen e 30 pronave, që i takon komuniteteve romë, ashkali dhe egjiptian.
Sipas policisë vlera e pronave kapte vlerën nga 5 mijë e deri në 7 mijë euro.
Po ashtu bëhet e ditur se dy të dyshuar të tjerë gjenden në kërkim policor.
“Në bazë të dëshmive të mbledhura dhe intervistave të zhvilluara, hetuesit policorë kanë ardhur në përfundim se ekziston dyshimi i arsyeshëm se të dyshuarit E.B. dhe A.D., kanë kryer veprën penale ‘falsifikim i dokumentit’. Me që të dyshuarit gjendeshin jashtë vendi, të njëjtit kanë qenë në kërkim policor deri sot, më 18.01.2023, kur i dyshuari A.D., (viti i lindjes 1968, mashkull kosovar), është ndaluar në Pikën e Kalimit Kufitar Jarinje, është intervistuar dhe me aktvendim nga prokurori është dërguar në ndalje deri në 48 orë”, thuhet në njoftimin e policisë përcjell Klankosova.tv
“Vlen të ceket se: A.D. dhe E.B., dyshohet se kanë kryer veprat penale “falsifikim i dokumenteve”, ndërsa avokati B.K., dhe ndërmjetësuesi E.J., kanë kryer veprat penal “keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar”, përcjell Klankosova.tv