Mjekësia Ligjore ende s’e ka dorëzuar raportin për Deharin në Prokurori

Prishtinë | 13 Nën 2016 | 13:49 | Nga

Ende s’ka raport nga Mjekësia Ligjore për vdekjen e Astrit Deharit. Prokurori që po merret me vdekjen e anëtarit të Vetëvendosjes nuk ka treguar se kur do ta marrin raportin por vetëm ka deklaruar se kjo do të ndodhë shumë shpejt. Dehari ka ndërruar jetë të shtunën e kaluar derisa Partia në të cilën ishte anëtar ka kërkuar ndaljen e hetimeve dhe marrjen e rastit nga hetues që do t’i propozonte familja.

Rezultatet e autopsisë për Astrit Deharin ende nuk i kanë shkuar Prokurorisë së Prizrenit, e cila është duke u marrë me zbardhjen e vdekjes së dyshimtë të anëtarit të Vetëvendosjes.

Autopsia është bërë të hënën e kaluar, dy ditë pasi Astrit Dehari kishte ndërruar jetë në paraburgim, ku ndodhej prej 67 ditësh nën dyshimin se kishte kryer sulm me zollë mbi Kuvendin e Kosovës.

“Së shpejti po pritet që ta marrim raportin e autopsisë. Nuk ka ndonjë datë. Është rekomanduar që sa më shpejtë ta kemi”, ka thënë Prokurori Metush Biraj, për Gazetën Express, të dielën.

Ndërkohë që hetimet mbi shkaqet e vdekjes së Astrit Deharit, tashmë nuk do t’i bëjë vetëm Policia e Prokuroria e Prizrenit.

Javën e kaluar është marrë vendim që të krijohet një ekip i përbashkët hetimor ku është përfshirë edhe policia qendrore në Prishtinë e cila do të ndihmojë në zbardhjen e rastit Dehari.

Lajmin për themelimin e ekipit të përbashkët hetimor e pati konfirmuar për Gazetën Express, Kryeprokurori i Prokurorisë Themelore në Prizren Sylë Hoxha.

“Është formuar një ekip i përbashkët i drejtorisë qendrore të policisë që do ta ndihmojnë drejtorinë rajonale të Prizrenit,. Po punojmë që nga ora 8-24 për ndriçimin e çështjes”, ka thënë Hoxha.

Kryeprokurori bëri të ditur se për hetimin e rrethanave të vdekjes së Deharit është angazhuar edhe një prokurore tjetër.

Askush deri më tash s’ka dhënë dorëheqje apo suspenduar pse një anëtar i dyshuar për sulm ndaj institucioneve të Kosovës vdiq në burg.

Vetëvendosjes e ka bërë fajtor Shtetin e Kosovës dhe kanë konstatuar se Dehari ishte vrarë. Mirëpo, Prokuroria dhe as Mjekësia Ligjore ende nuk e kanë dhënë versionin e tyre bazuar në gjetjet e deritashme.

 

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme