Federata e Futbollit të Kosovës menjëherë të hënën ka mbajtur një takim me ekipet mjekësore të klubeve të Superligës. Në takim stafet mjekësore të klubeve janë udhëzuar për masat që duhet t’i ndërmarrin, pas lejes së Ministrisë së Shëndetësisë për kthim në stërvitje e më vonë edhe në ndeshje.
“Përgjegjësi i ekipit mjekësor të FFK-së, Murat Berisha ka mbajtur takimin. Qëllimi i këtij takimi ishte njoftimi dhe shpjegimi për stafet mjekësore me masat e protokollit higjieno-sanitar për stërvitje dhe ndeshje, në mbrojtje nga COVID – 19. Gjatë këtij takimi u bë edhe shpërndarja e mjeteve që do të shërbejnë si masë mbrojtëse nga virusi si dhe për dezinfektimin e hapësirave të stadiumeve ku zhvillohen stërvitjet dhe ndeshjet. Këto mjete janë siguruar nga FFK-ja për të gjitha klubet e Superligës”, thuhet në njoftim.