Gjatë ditës së sotme, mjekët e ORL-së shpëtuan jetën e foshnjës 9 muajshe me përkatësi etnike serbe, duke i’a larguar një kokërr të fasules nga bronku kryesor i mushkërisë së djathtë.
Intervenimi i tillë, i cili zgjati rreth 40 minuta rezultoi me sukses duke e larguar atë me anë të procedurës së quajtur bronkoskopi.
Foshnja e gjinisë mashkullore me vendbanim në Komunën e Kamenicës, fillimisht ishte dërguar në Spitalin e Gjilanit.Mirëpo, pas problemeve të theksuara me frymëmarrje, mjekët e kanë intubuar pacientin dhe është nisur për në Prishtinë.
Aktualisht, gjendja shëndetësore e vogëlushit është e mirë dhe pritet të lirohet për në shtëpi.
Milica Stojkoviq, nëna e fëmijës, ka falënderuar mjekët për punën e bërë, derisa ka mbetur e habitur me pritjen dhe shërbimet e ofruara.
“Jashtëzakonisht jemi të kënaqur me mënyrën se si është trajtuar foshnja jonë. Nuk kam fjalë ta përshkruaj. Këtu njerëzit nuk dallohen në bazë të nacionalitetit. Çdo serb që ka probleme shëndetësore, mund të vijë këtu pa asnjë problem”, tha ajo.