Ministri i Shëndetësisë i Republikës së Kosovës, Imet Rrahmani, priti sot në takim Ambasadoren e Republikës së Kroacisë në Kosovë, Marija Kapitanoviq.
Ministri Rrahmani ka falënderuar shtetin kroat për mbështetjen Kosovës dhe shëndetësisë së saj, ndërsa ka theksuar se midis dy shteteve ekzistojnë mundësi të shumta bashkëpunimi në fushën e shëndetësisë.
Në këtë aspekt, ministri ka rikujtuar Memorandumin e bashkëpunimit, të nënshkruar vitin e kaluar në Zagreb midis dy ministrive respektive për bashkëpunim në fushën e shëndetësisë.
Duke shprehur interesimin për vazhdimin e bashkëpunimit mbi bazën edhe të Forumit të vjetëm të shëndetësisë kosovare–kroate, të mbajtur vitin e kaluar në Prishtinë, por edhe mbi bazën e Memorandumit të bashkëpunimit, Ambasadorja Kapitanoviq tha se midis institucioneve shëndetësore të dy vendeve ka shumë mundësi bashkëpunimi si në fushën e ofrimit të shërbimeve ashtu edhe të këmbimit të kuadrove, specializimit të një numri mjekësh nga Kosova në Kroaci dhe në fusha të tjera.
Ministri Rrahmani, tha se me fillimin e sigurimeve shëndetësore vitin që vjen, mundësi të reja bashkëpunimi do të hapen për bashkëpunim konkret, ndërkohë që vlerësoi gatishmërinë e institucioneve kroate për të ofruar ekspertizën e tyre edhe në këtë fushë.