Mjekët që kanë kaluar COVID-in, të shqetësuar për efektet që mund të ju shkaktohen nga vaksinimi

Prishtinë | 07 Pri 2021 | 17:43 | Nga Ekonomia Online

Punëtorët shëndetësorë të cilët kanë qenë të infektuar me COVID-19, shprehen të painformuar për efektet anësore që mund të ju shkaktohen nga marrja e vaksinës kundër COVID-19. Ndonëse shprehin interesimin për t’u vaksinuar, ata shprehen të shqetësuar se pasi kanë antitrupa, vaksinimi mund të kenë ndonjë problem shëndetësorë.

Punëtorët shëndetësorë të cilët kanë kaluar virusin COVID-19 janë shprehur të shqetësuar për vaksinimin kundër COVID-19.

Ata thonë se për shkak të infektimit me këtë virus kanë fituar mjaftueshëm antitrupa, dhe se nuk janë të informuar mjaftueshëm nëse vaksinimi i tyre gjatë kësaj kohe kur kanë shumë antitrupa mund të ju shkaktojë ndonjë problem shëndetësorë.

Kryetari i Odës së Mjekëve të Kosovës, Pleurat Sejdiu ka thënë për Express se u janë bërë shumë pyetje nga punëtorët shëndetësorë në lidhje me që kanë kryer virusin dhe janë vaksinuar.

Ai ka thënë se punëtorët shëndetësorë kanë dashur të dinë se për cilin nivel të antitrupave nuk është i nevojshëm vaksinimi, e cilat mund të jenë reagimet nëse ata kanë antitrupa dhe marrin vaksinën.

“Pse kryeministri Kurti nuk del me një sqarim për këtë çështje se shumë pyetje na janë bërë nga kolegët tanë të cilët kanë dashur të dinë se cili është niveli i antitrupave që nuk ka nevojë për vaksinim, apo cilat mund të jenë reagimet nëse kemi antitrupa dhe vaksinohemi. Këto pyetje po na vinë dhe duhet sqarohen”, ka thënë ai.

Sejdiu ka thënë se nuk ka ndonjë kriter për vaksinim dhe se Ministria e Shëndetësisë dhe Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik duhet të dalin me sqarime për këtë çështje.

 “IKSHPK duhet të dal me sqarim për këtë. Për shembull në Austri për ata që kanë kaluar COVID-19 dhe kanë pasur një numër të vogël të antitrupave, nuk është parë e nevojshme marrja e dozës së dytë të vaksinës. Te ne nuk ka diçka të tillë nga IKSHPK. Ministria e Shëndetësisë dhe IKSHPK duhet të dalin me shpjegime shtesë që të mos ketë keqinformime”, ka shtuar ai.

Ndërsa, infektologu Ilir Tolaj ka thënë se pasi sasia e vaksinave në dispozicion nuk është e mjaftueshme për t’u vaksinuar të gjithë, atëherë ata që e kanë kaluar infeksionin mund të prisnin për vaksinim në një fazë të mëvonshme të imunizimit, kur do të ketë vaksina të mjaftueshme për të gjithë.

Përndryshe, ai ka thënë se vaksina nuk ka efekte anësore më shumë te personat që e kanë kaluar virusin.

“Vaksina nuk ka efekte anësore më shume apo me pak, varësisht nga niveli i antitrupave. Reaksionet anësore të vaksinave Anti-Covid janë të ndryshme tek personat e ndryshëm por në përgjithësi nuk janë serioze dhe janë kohëshkurtra. Jam shume i bindur se punëtorët shëndetësorë janë tashmë të informuar për këtë aspekt në mënyrë të mjaftueshme. Po jetojmë  në një kohë ku qasja në informatat lidhur me të gjitha aspektet e Covid-19, kështu që informimi për çdo aspekt të kësaj sëmundje është jashtëzakonisht i lehtë”, ka shtuar ai.

Mirëpo, nga Ministria e Shëndetësisë, kanë thënë se punëtorët shëndetësorë janë kategoria më e informuar rreth vaksinës, efekteve anësore dhe rreth virusit COVID-19 në përgjithësi.

Zyrtarë për informim në këtë ministri kanë thënë se kushdo që shkon në qendrën e vaksinimit, para se të vendos që të vaksinohet ose jo, merr një material të detajuar për vaksinën e AstraZenecës.

 “Nuk është  e vërtetë as që nuk ka kritere e prioritete, kush mund të vaksinohet e kush jo, sepse këto janë përcaktuar edhe në Planin e vaksinimit kundër COVID-19, madje secili që shkon në qendrën e vaksinimit, para se të vendos apo jo për ta marre vaksinën, e merr një material të detajuar të shkruar me informacione shumë të dobishme për vaksinën AstraZeneca, për të ditur çdo gjë rreth vaksinimit me këtë vaksinë”, është thënë nga MSH.

Sipas kësaj ministre, vaksinat mund të kenë efekte anësore, por bazuar në dëshmitë e deritanishme dhe në ato që janë bërë publike nga EMA si agjension rregullator i barnave në Evropë, efektet anësore tek vaksina që po përdoret në Kosovë kane qenë pothuajse të papërfillshme

“Nuk ka asnjë rregull shkencor dhe këtë profesionistët shëndetësor e dinë më mirë se kushdo tjetër, që dikush  që e ka kaluar COVID-in nuk bën të vaksinohet. Vaksinat mund të kenë efekte anësore, por bazuar në dëshmitë e deritanishme dhe në ato që janë bërë publike nga EMA si agjension rregullator i barnave në Evropë, efektet anësore tek vaksina që po përdoret në Kosovë kane qenë pothuajse të papërfillshme dhe në numër simbolik, krahasuar me numrin e dozave te injektuara”, është thënë tutje nga MSH.

Kujtojmë që deri tani në vend janë vaksinuar mbi 3 mijë e 500 persona, me 24 mijë doza të vaksinës që ka pasur në dispozicion vendi.

Të ngjashme