Zëdhënësja e Kompanisë Rajonale të Ujësjellësit “Prishtina”, Arjeta Mjeku, ka bërë të ditur se niveli i lartë i turbullirës në ujin nga liqeni i Badovcit pritet të zgjasë vetëm dy deri në tre ditë, pas së cilave uji do të kthjellohet dhe do të jetë sërish i pijshëm.
Ajo ka sqaruar se aktualisht uji është i papijshëm për shkak të turbullirës, por nuk paraqet rrezik serioz, pasi nuk ka rritje të vlerave të manganit, ndryshe nga situata e mëparshme. Sipas Mjekut, uji mund të përdoret vetëm pasi të vlohet, por rekomandohet të mos konsumohet për pije për ta ruajtur shëndetin e qytetarëve.
“Do të zgjasë vetëm dy-tre ditë niveli i lartë i turbullirës dhe do të kthjellët. Uji është i papijshëm, por mund të vlohet pasi është veç i turbulluar dhe nuk ka vlerë të shtuar të manganit sikur herën e kaluar”, ka thënë Mjeku në emisionin “SOT” të KTV-së.
Ajo ka njoftuar se për Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK) është siguruar një linjë e veçantë furnizimi me ujë të pijshëm.
Sa i përket liqenit të Batllavës, Mjeku ka theksuar se aty nuk ka turbullira, pavarësisht rritjes së sasisë së ujit, ndërsa edhe gjendja në kanalin e Ibrit është përmirësuar krahasuar me ditët e fundit.
Reshjet e fundit, sipas saj, kanë ndikuar pozitivisht në mbushjen e liqeneve, duke përmirësuar gjendjen pas mungesës së ujit në Badovc dhe Batllavë. Kjo situatë, siç thotë Mjeku, siguron furnizim me ujë deri në fund të vitit, me kusht që qytetarët ta shpenzojnë ujin në mënyrë racionale dhe të shmangen kyçjet ilegale në rrjetin e ujësjellësit.
Zonat të cilat furnizohen nga Badovci: Zllatar, Aktash, Albi Mall, Bregu i Diellit, Çagllavicë, Fshati Ndërkombëtar, Graçanicë, Hajvali, Kishnicë, Kodrina, Kolovicë e Vjetër, Lagjja e Spitalit, Lagjja Jonë, Lagjja Nic, Lagjja Qëndresa, Lagjja e Studentëve, Royal Green Residences, Prishtina e Re, Preoc, Pjesa e Dodonës, Matiqan, Mati 1, Marigona Hill, Lugina e Thellë, Llapnasellë, Veternik, Ulpiana e Re, Taslixhe 1, 2, 3 & 4, Sushicë, Sofali, Shashkoc dhe Rrasa e Zogut.