Dr. Caduff kërkon nga e gjithë popullata zvicerane, veçanërisht nga shqiptarët, të vaksinohen, sepse kjo është mënyra e vetme për të kontrolluar pandeminë
Mbi 1.7 milion njerëz në Zvicër deri më tani janë vaksinuar kundër koronavirusit. Vaksinimi po vazhdon. Pavarësissht burimeve të besueshme të informacionit dhe mundësive të pafund për të ditur më shumë për vaksinimin, një numër pjesëtarësh të shoqërisë sonë hezitojnë të vaksinohen.
Basil Caduff, ish-kryemjek në Spitalin Limmattal, tani drejtues i qendrës së vaksinimit Dietikon, për të krijuar qartësi lidhur me këtë. Ai përmbledh të gjitha informacionet e nevojshme në lidhje me vaksinat e ndryshme dhe kërkon nga e gjithë popullata zvicerane, veçanërisht nga shqiptarët, të vaksinohen, sepse kjo është mënyra e vetme për të kontrolluar pandeminë.
Ju jeni mjeku kryesor këtu në Qendrën e Vaksinimit Dietikon, e cila menaxhohet nga Spitali Limmattal. Është e saktë?
Dr. Caduff: Spitali Limmattal është një partner i yni, por koncepti ka ardhur nga qyteti i Dietikonit. Ata donin të hapnin një qendër vaksinimi e cila funksionon nën mbikëqyrjen mjekësore të një spitali. Falë pozicionit tim të dikurshëm si kryemjek në Spitalin Limmattal, tani më lejohet të menaxhoj këtë qendër vaksinimi.
Nga ka ardhur vendimi për të hapur një qendër vaksinimi në Dietikon?
Dr. Caduff: Qyteti i Dietikonit ka marrë iniciativën, së bashku me shefin e departamentit të sigurisë dhe shëndetit, Heinz Illi, i cili është gjithashtu pjesë e ekzekutivit të qytetit. Z. Illi pastaj i është drejtuar Spitalit Limmattal për t’i kërkuar mbështetje mjekësore.
Çfarë vaksine jepni këtu në qendrën e vaksinimit?
Dr. Caduff: Për momentin ne japim vetëm vaksinën nga Pfizer Biontech. Nga 5 maji po llogarisim gjithashtu të furnizohemi me vaksinën “Moderna”. Atëherë ndoshta mund të ndodhë një ndryshim.
Përse do të kalohet në Moderna?
Dr. Caduff: Kjo varet nga kapaciteti furnizues me vaksina. Nëse Qeveria Federale merr një kontingjent më të madh, ne mund të kalojmë plotësisht në Moderna. Moderna po ashtu është më e thjeshtë për tu ruajtur sepse për të nuk nevojiten temperatura shumë të ulëta të hapësirës ku ajo ruhet (ndrfyshe nga Pfizer-Biontech). Ndryshe, këto dy vaksina janë shumë të ngjashme.
Swissmedic është gjithmonë përgjegjës për aktualizimin e efekteve anësore. Çfarë efektesh anësore keni regjistruar deri tani nga njerëzit e vaksinuar?
Dr. Caduff: Thënë në vija të trasha ndodhin të njëjtat efekte anësore sikur me vaksinimin konvencional të gripit, vetëm se ato mund të jenë pak më të theksuara me vaksinimin e koronës. Efektet më të zakonshme deri më tani janë, për shembull, ethe të buta, “rëndim krahu” (tek krahu në të cilin është bërë vaksinimi) dhe plogështi. Sipas përvojës sime, shpeshtësia e efekteve anësore është paksa në kundërshtim me studimet. Personalisht, edhe unë jam vaksinuar dhe kam bërë gjashtë orë ecje malore dy ditë pas dozës së dytë (qeshet).
Deri më tani, njihen vetëm mbi 1200 raste në të gjithë Zvicrën, në të cilat efektet anësore ishin më serioze sesa ato që u përmendën. Pas injektimit të vaksinës Astrazeneca, e cila nuk është aprovuar ende në Zvicër, janë dokumentuar tashmë tromboza të trurit. Për këtë arsye, Atrazeneca nuk është aprovuar në disa vende.
Si përfundim: më mirë të vaksinohesh sesa të infektohesh me Covid?
Dr. Caduff: Pikërisht. Mundësia e pësimit të trombozës për shkak të vaksinimit nuk është e krahasueshme me rrezikun e sëmurjes nga korona, e cila gjithashtu mund të shkaktojë trombozë. Në rastin e një rrjedhe të rëndë të infeksionit me Covid, tromboza të tilla mund të ndodhin gjithashtu në tru, si dhe në zemër dhe organe të tjera. Nëse krahasohen faktorët Për me ata Kundër vaksinimit, atëherë ka shumë më tepër argumente në favor të vaksinimit.
Nga vjen frika nga vaksinimi kundër koronës?
Dr. Caduff: Teprica e informacioneve patjetër që luan një rol të madh. Edhe ekspertë të vetëquajtur, të cilët gjithmonë përfaqësojnë mendime kontradiktore, gjithashtu kontribuojnë shumë. Ajo që dëgjoj shpesh është frika se vaksina do të sulmojë dhe ndryshojë gjenomin njerëzor dhe t’ia transmetojë këtë brezave të ardhshëm, gjë që është absolutisht e pavërtetë.
A e klasifikoni këtë si frikë irracionale apo kjo tashmë hyn në sferën e teorive të konspiracionit?
Dr. Caduff: Unë nuk mendoj se bëhet fjalë për teori konspirative, por kemi të bëjmë vetëm me një produkt të keqinformimit. Por unë mund ta marr shumë mirë me mend që mund të jetë e frikshme kur të lexoni se acidi ribonukleik “mARN”, që përdoret për t’u injektuar, dhe i cili përmban informacionin gjenetik për ndërtimin e një proteine që supozohet se ndërton antitrupat kundër virusit. Por, nëse e kuptoni se çfarë bën vaksina dhe si funksionon, kjo nuk duhet të paraqesë ndonjë problem.
A është i rrezikshëm “mARN”?
Dr. Caduff: Jo, ai shërben vetëm si një lajmëtar për sistemin imunitar. Ai sinjalizon sistemin tonë imunitar se duhet të prodhojë antitrupa kundër koronës. Kjo gjë është teknikisht shumë e rafinuar, sepse ka vaksina të tjera për viruse në të cilat tek pacienti injektohet një dozë e vogël e virusit në mënyrë që t’i bëjë ato (viruset) të padëmshme.
Por a nuk është kështu edhe me vaksinimin kundër Covidit?
Dr. Caduff: Jo, në Pfizer Biontech dhe Moderna nuk është kështu. Por prodhuesit e Atrazeneca dhe Johnsons & Johnson, mbështeten në këtë metodë. Merret një virus tjetër i padëmshëm dhe i vendoset informacioni, i cili duhet të sinjalizojë sistemin imunitar për të prodhuar antitrupa për Covid.
Një shqetësim tjetër është shpejtësia me të cilën është prodhuar vaksina. A mendoni se kjo vë në dyshim besueshmërinë për sa i përket efikasitetit dhe efektivitetit?
Dr. Caduff: Kjo e fundit nuk duhet të vihet në dyshim. Ka studime që tregojnë se, falë vaksinave që janë miratuar edhe në Zvicër, prodhohen në 95% të rasteve mjaft antitrupa në mënyrë që njerëzit e vaksinuar të mos bartin sëmundjen te të tjerët dhe të mos jenë të rrezikuar nga sëmundja.
Në Johnson & Johnson, nga ana tjetër, ka një siguri prej vetëm 65%. Për shkak të këtij fakti Qeveria Federale nuk e ka porositur këtë vaksinë.
A është vaksinimi më i shpejtë i prodhuar deri më tani?
Dr. Caduff: Absolutisht! Ky është një hap i madh përpara për mjekësinë humanitare. Për shembull, me vaksinimin konvencional të gripit, duhet të rivlerësohet çdo vit se cili lloj virusi ka potencial për t’u përhapur në mënyrë që të luftohet ai. Vaksinat e gripit duhet të bëhen në pranverë për dimrin që vjen. Kur krijohet acidi ribonukleik “mARN”, kjo funksionon shumë më shpejt, pasi që duhet të adaptohet vetëm një proteinë e caktuar.
Sa kohë duhet normalisht për të prodhuar një vaksinë?
Dr. Caduff: Kjo mund të zgjasë deri në dhjetë vjet nga ideja në zbatim. Dhe këtu është arsyeja pse zhvillimi i shpejtë i vaksinimit kundër Covid po bëhet si pikë referimi e një epoke të re. Një shembull i mirë i kësaj është vaksina ruse “Sputnik”. Kjo vaksinë është zhvilluar dhe lëshuar pa testime përkatëse. Por, edhe profesionistët mjekësorë dhe revistat e specializuara kanë dhënë vlerësime pozitive, sepse efekti i vaksinës “Sputnik” është i krahasueshëm me atë të Moderna dhe Pfizer Biontech.
A ka gjasa që Sputnik të miratohet në Zvicër?
Dr. Caduff: Për fat të keq, nuk mund të them asgjë sepse më mungojnë informacionet për këtë. Por kam lexuar se një vaksinë e tretë, kësaj here nga prodhuesi Novavax, e cila gjithashtu operon në bazë të acidit ribonukleik “mARN”, ka aplikuar për aprovim në Zvicër.
Po në lidhje me ndjeshmërinë ndaj mutacioneve të Covid? A duhet që njerëzit të cilët tashmë janë vaksinuar të vaksinohen përsëri nëse kanë një mutacion të fortë?
Dr. Caduff: Kjo është një pyetje shumë e mirë dhe e vështirë. Mutacioni kryesor për momentin është ndoshta ai britanik. Rreth 80% e të sëmurëve aktualë mbartin këtë mutacion. Vaksina funksionon kundër këtij mutacioni. Nëse më tej do të ndodhin mutacione të rënda, vaksinimi do të ndikonte te to në një nivel më të ulët. Ndoshta në të ardhmen, ashtu si me vaksinat normale të gripit, ne do të luftojmë në mënyrë proaktive llojet e mundshme të virusit me vaksinat vjetore. Por kjo është akoma vetëm supozim.
Cilat alergji duhet të merren parasysh para se të marrim vaksinën?
Dr. Caduff: Për shembull, alergjitë e thjeshta si skuqjet e lëkurës janë të padëmshme. Në rastin e alergjive më të rënda, duhet të përcaktohet se cilët janë saktësisht shkaktarët e alergjisë. Por kjo prek një grup shumë të vogël dhe këta njerëz zakonisht e dinë që ata janë alergjikë ndaj ilaçeve të caktuara dhe vaksinimeve. Sigurisht që edhe ne jemi të përgatitur për situata të tilla.
Çfarë ilaçesh do t’u rekomandonit atyre që tani janë në shtrat në shtëpi me ethe?
Dr. Caduff: Gjithçka që ka efekt antipiretik (për ulje temperature), siç është paracetamoli. Sigurisht, pirja e mjaftueshme e lëngjeve është gjithashtu thelbësore për një shërim më të shpejtë.
Sa vaksinime bëni çdo ditë këtu në qendrën e vaksinimit?
Dr. Caduff: Ne kemi kapacitet për të bërë një mijë vaksina në ditë. Por, ne kufizohemi në 800 dhe aktualisht ka 200 vaksina në ditë. Sigurisht, kjo varet edhe nga furnizimi që kemi.
Cili është intervali i rekomanduar para vaksinimit të dytë?
Dr. Caduff: Vaksina e dytë duhet merret rreth një muaj pas vaksinimit të parë.
Si qëndron puna me frikën nga pasojat afatgjata të vaksinimit?
Dr. Caduff: Këtu në qendrën e vaksinimit, ne aktualisht po trajtojmë shumë zviceranë por na mungojnë në veçanti shqiptarët.
Përse ndodh kjo mungesë?
Dr. Caduff: Mendoj se kjo ndodh për shkak të mungesës së informacionit dhe barrierës gjuhësore. Sigurisht, dikush që flet dhe kupton pak ose aspak gjermanisht, është më ngurrues të shkojë në qendrën e vaksinimit sesa të tjerët.
Si do ta inkurajonit popullsinë shqiptare të vaksinohet?
Dr. Caduff: Sipas mendimit tim, ka dy pika. Nga njëra anë është të jesh “egoist” për të mbrojtur veten dhe nga ana tjetër të jesh vetëmohues, sepse për të vënë pandeminë nën kontroll, nevojitet një popullatë imune.