Fondi i Kursimeve Pension-ale të Kosovës (FKPK) e ka përmbyllur edhe një vit me rezultat pozitiv në të gjitha fushat e operimit.
Në komunikatën për medie nga FKPK-ja thuhet se më i rëndësishmi lajm për kontribuuesit është performanca e investimeve dhe me kënaqësi njoftojmë se kthimi bruto nga investimet për vitin 2016 ishte rreth 65 milionë euro.
Me këtë rast Bordi Drejtues shpreh vlerësimin se performanca e investimeve është tejet e kënaqshme, e cila njëkohësisht provon konsistencën e strategjisë investuese në fuqi, duke ofruar më shumë stabilitet dhe vjelje të mundësive investuese.
Më tej, vlerësuar në total kthimi bruto nga investimet e FKPK-së prej 2003-s e deri më 31 dhjetor 2016 ka arritur në rreth 316 milionë euro, ndërsa çmimi i aksionit për të njëjtën periudhë është ngritur për rreth 39%. Për vitin 2016 çmimi i aksionit është ngritur për 4,4%.
“Ky rezultat nga investimet gjithsesi mbështetet në lëvizjen pozitive të tregjeve financiare për vitin. Edhe pse tregjet globale ishin nën efektin negativ të rezultateve të paparashikuara politike në Britaninë e Madhe rreth Brexit-it dhe zgjedhjeve për president në SHBA, përmirësimi i treguesve ekonomikë në nivel global, bashkë me ngritjen e çmimit të naftës, ndikoi pozitivisht në rikuperimin dhe ngritjen e tregjeve. Përveç performancës së investimeve, këtë vit kishim rritje rekorde të mjeteve nën menaxhim dhe kontributeve të arkëtuara. Gjithashtu FKPK-ja ka vazhduar me përmirësimin e shërbimeve ndaj kontribuuesve, duke zgjeruar shërbimin me katër banka komerciale për pagesën e pensioneve në faza, derisa numri i kontribuuesve njohu rritje domethënëse”, thuhet në komunikatë.
Aty më tej thuhet se në fund të 2016-s mjetet neto që FKPK-ja i kishte nën menaxhim u janë afruar vlerës së 1.42 miliardë eurove, ose një rritje prej 189 milionë eurosh nga fundviti i kaluar. Në rritjen e mjeteve nën menaxhim ndikuan: kontributet e reja me 152 milionë euro dhe kthimi nga investimet prej 65 milionë eurosh.
Ndërkohë për të njëjtën periudhë: për pension u shpaguan 19 milionë euro, për tarifa menaxhuese 6 milionë euro dhe u refonduan 2 milionë euro.
“Me rritjen e mjeteve nën menaxhim FKPK-ja angazhoi edhe tre aset-menaxherë shtesë gjatë vitit: ‘BNP Paribas’, ‘IP Parvest’, ‘Amundi dhe Schroders GDG’, me instrumente investuese në multiasete”, thuhet më tej në komunikatën për medie të FKPK-së.