Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Kujtim Gashi, ka vizituar Komunën e Hanit të Elezit, ku bashkë me kryetarin e kësaj komune, Refki Sumën, ka nënshkruar dy memorandume: për rregullimin e stadiumit dhe për ndërtimin e Qendrës Kulturore.
Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Kujtim Gashi tha se ministria të cilën ai e udhëheq ka për qëllim t’i përkrahë financiarisht artistët dhe sportistët e Hanit të Elezit, raporton Ekonomia Online.
“Sot jemi në Han të Elezit, ishte një kënaqësi me taku kryetarin ku u nënshkruan dy marrëveshje që kanë qëllim investimin e MKRS-së në Komunën e Hanit të Elezit, si përkushtim i yni i MKRS-së për të investuar në të gjitha komunat e Republikës së Kosovës dhe në kuadër të kësaj jemi të interesuar që komunat e vogla si Hani i Elezit që ka buxhet të vogël dhe me të hyra të vogla t’i ndihmojmë dhe ta përkrahim që dhe sportistët dhe artistët e komunës të përfitojnë nga këto investime”, tha Gashi.
Gashi bëri të ditur se MKRS-ja do të investojë 250 mijë për një qendër rinore në këtë komunë, raporton EO.
“Investimet kanë të bëjnë me dy projekte për ndërtimin e stadiumit dhe MKRS-ja do ndajë mjete për investim të ndërtimit dhe kësaj komune i mungon qendra e rinisë me kritere të avancuara. Ne si MKRS do investojmë në këtë qendër me një kosto prej 250 mijë euro”, tha ai.
Ai tregoi se do ta vizitojë edhe vendin që MKRS-ja e ka pajisur me dyshekë për klubet e mundjes në Han të Elezit.
“Sot do ta vizitojmë vendin ku e kemi pajisjur me dyshekë për klubet e mundjes që gjithë sportistëve t’u krijojmë kushte të mira dhe hapësira të mira dhe pajisje ku do t’i bëjnë ushtrimet e veta dhe besoj se jemi duke bërë një punë të mirë në komunat e Kosovës”, shtoi Gashi.
Gashi tha se të gjitha komunat janë të rëndësishme dhe mbështetja e tyre tregon se çdo ditë janë duke punuar për infrastrukturë të mirë sportive, raporton EO.
Ministri Gashi tregoi se për renovimin e stadiumit në Han të Elezit ka ndarë 50 mijë euro, ndërkaq shuma totale që nevojitet është rreth 150 mijë euro. Ai bëri të ditur se pjesën tjetër të parave do ta ndajnë komuna, FKK-ja dhe MMPH-ja.
“Investimi për stadium është i përbashkët mes komunës, FFK-së dhe MKRS-së. Kërkesa e kryetarit ka qenë për 50 mijë euro, ne i kemi nda 50 mijë euro dhe komuna me FKK-së dhe MMPH-në do ta ndajnë pjesën tjetër. Stadiumi aktualisht ekziston, por duhet renovimi dhe kostoja do të jetë diku rreth 150 mijë euro, por varësisht nga projekti ne do të jemi të gatshëm të ndihmojmë”, tha Gashi.
Kryetari i Komunës së Hanit të Elezit, Refki Suma, falënderoi ministrin Gashi për vizitën dhe për ndarjen e mjeteve financiare.
“Falënderoj ministrin e MKRS-së për vizitën që po na bën dhe për nënshkrimin e marrëveshjes që është në interes të komunës që po bëhet financimi i fushës së futbollit, e cila e ka mbajtë emrin e dëshmorit Suad Brava, që ka ekzistu, mirëpo për shkak të pastrimit të azbesit, e cila ka qenë në atë zonë është realizu një projekt i MMPH-së. Tani ministria ka nda një pjesë të mjeteve dhe me ndihmën e MKRS-së dhe me premtimin e FFK-së do ta përfundojmë në tërësi stadiumin e qytetit Suad Brava”, tha Suma.
Sipas Sumës, ndërtimi për qendrën rinore do të fillojë vitin e ardhshëm.
“Nënshkrimi për financimin e projektit të ndërtimit të shtëpisë së kulturës apo qendra rinore që vitin e ardhshëm do fillojë procedurat dhe shpresojmë që do të përfundohet në tërësi. Qeveria ka marrë si obligim që me mjete financiare të na mbështesë, sepse komuna nuk ka mundësi dhe kemi përkrahje nga MKRS që do të ndihmojë sportin e Hanit të Elezit”, tha ai.
Ministri Gashi, bashkë me kryetarin e komunës së Hanit të Elezit, Rufki Suma ka bërë homazhe te kompleksi i dëshmorëve të UÇK-së në fshatin Pustenik të Hanit të Elezit.