Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Kujtim Gashi ka ndarë çmimin “Muslim Mulliqi” në fushën e arteve pamore.
Çmimi kombëtar për veprimtari jetësore iu nda akademikut Muslim Mulliqi – post mortem, të cilin e pranoi gruaja e tij, Resmije Mulliqi, në vlerë prej 5 mijë euro.
Çmimi kombëtar për veprimtari jetësore “Muslim Mulliqi” iu dha edhe piktorit dhe skulptorit Xhevdet Xhafa, në vlerë prej 5 mijë euro, raporton Ekonomia Online.
Ndërsa çmimin vjetor për të arritura në fushën e artit pamor e mori grafisti Fatmir Krypa, 3 mijë euro.
Ministri Gashi tha se ministria që ai e drejton e vlerëson kontributin e njerëzve në artin pamor.
“Si ministri jemi jashtëzakonisht të interesuar që ta mbështesim pjesën e artit pamor. Vlerësojmë njerëzit që punojnë, krijuesit që punojnë te pjesa e arteve pamore. Këto janë sadopak mirënjohje, motivim, inkurajim që me vazhdu puna në fushën e artit pamor”.
Resmije Mulliqi, në emër të familjes Mulliqi e falënderoi ministrinë për çmimin, raporton EO.
“Kjo iniciativë shumë e mirë dëshiroj që të vazhdojë edhe për të tjerët që të jetë tradicionale”.
Xhevdet Xhafa tha se artistët e rinj duhet të punojnë që të krijojnë më shumë për kulturën.
“Është një iniciativë e qëlluar pak me vonesë. Të punojnë, të veprojnë, të krijojnë për kulturën tonë për të gjithë ne”.
Grafisti Fatmir Krypa tha se çmimet e tilla ndikojnë që artistët të punojnë më shumë.
“Është shpërblim i qëlluar, jo për ne personalisht, por edhe për të tjerët që do të vijnë pas. Sepse ne artistët punojmë… kjo iniciativë është një impuls”.