Një mal me vërejtje janë gjetur nga Auditori në pasqyrat financiare të Ministrisë së Kulturës për vitin 2015. Sipas raportit del se pjesa dërmuese e buxhetit është shpenzuar në muajt e fundit të vitit.
Ministria ka dështuar në realizimin e projekteve kapitale të parapara për 2015. Një situatë e tillë për njohës të fushës është parë si vazhdimësi e keqpërdorimeve dhe planifikimeve të dobëta që për vite e karakterizon këtë ministri.
Auditori ka hedhur dyshime për mënyrën e ndarjes së granteve në kulturë.
“Ministri duhet të sigurojë që të bëhen analiza të vazhdueshme mbi rrjedhën e realizimit të buxhetit, në mënyrë që shpenzimet të bëhen në përputhje me planin buxhetor dhe me qëllim të shmangies së parregullsive eventuale si rezultat i devijimeve nga plani. Gjatë planifikimit të investimeve kapitale duhet të merren parasysh edhe faktorët e jashtëm ndikues”, thuhet në raport
Për vite të tëra ministritë kanë shpenzuar paranë publike jo në formën e duhur dhe në shumë raste janë ngre dyshime për keqmenaxhim.
Qeveria ia mori buxhetin, pasi Ministria dështoi me ekzekutim
Në raportin e Auditorit të Përgjithshëm për pasqyrat financiare të MKRS-së për vitin 2015, ku flitej për realizimi i buxhetit për investime kapitale, thuhet se pavarësisht ekzekutimit të lartë të buxhetit, tek kategoria e investimeve kapitale, dinamika e ekzekutimit të buxhetit nuk ishte në harmoni me rrjedhën e planifikuar të parasë pasi rreth 76% e buxhetit është shpenzuar në tremujorin e fundit të vitit. Po ashtu,se për shkak të pamundësisë së realizimit të projekteve kapitale një pjesë e konsiderueshme e buxhetit është marrë nga Qeveria në fund të vitit. “Në mosrealizimin e projekteve të planifikuara kanë ndikuar edhe faktorë të jashtëm, që nuk janë nën ndikimin e Ministrisë (si çështje të definimit të pronësisë së parcelave ku janë paraparë ndërtimet, lejet e ndërtimit, procedurat e ankimimit, vonesat nga kontraktorët etj)”, thuhet ndër të tjerash, në raport.
Auditori konstaton se mosrealizimi i projekteve kapitale me kohë, ka rezultuar me mospërmbushje të planit dhe synimeve të Ministrisë. Sipas raportit, realizimi i shpenzimeve kapitale në pjesën e fundit të vitit ndikon që të shtohet vëllimi i pagesave, dhe si pasojë mund të ndodhë që pagesat të procesohen pa kontrolle adekuate dhe të rezultojnë në parregullsi eventuale.
“Ministri duhet të sigurojë që bëhen analiza të vazhdueshme mbi rrjedhën e realizimit të buxhetit në mënyrë që shpenzimet të bëhen në përputhje me planin buxhetor dhe me qëllim të shmangies së parregullsive eventuale si rezultat i devijimeve nga plani. Gjatë planifikimit të investimeve kapitale duhet të merren parasysh edhe faktorët e jashtëm ndikues”, thuhet në raport, shkruan Kosova Sot.