Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Kujtim Gashi ka nënshkruar sot dy memorandume bashkëpunimi me mundësit Edon dhe Egzon Shala, për shpenzimet e përgatitjeve të sportistëve në fjalë për Lojërat Olimpike “Tokio 2020”.
Në bazë të memorandumit parashihet që sportistët të përfitojnë nga 10 mijë euro secili.
Memorandumi bëhet me qëllim të mbështetjes financiare për përgatitjen e sportistëve si kandidatë potencialë për arritjen e normës dhe rezultateve kulmore për pjesëmarrje në “Tokio 2020”.
Mjetet financiare mundësit do t’i shfrytëzojnë për akomodim, stërvitje dhe ushqimet specifike që janë të parapara për sportistë.
Ministri Gashi tha se me këtë përkrahje të drejtpërdrejtë për dy mundësit, MKRS-ja po tregon se gjendet gjithmonë pranë sportistëve që kanë talent dhe tregojnë gatishmëri për të arritur suksese dhe rezultate në sportet e tyre përkatëse.
Mundësit Edon dhe Egzon Shala e falënderuan ministrin dhe MKRS-në për këtë mbështetje dhe u zotuan se do të japin maksimumin për të prezantuar veten por edhe shtetin e Kosovën në mënyrën sa më të mirë të mundshme në garat ndërkombëtare në të cilat do të marrin pjesë.