MKRS-ja ndan 1.3 milion euro për ndërtimin e sistemit të ri të fushës në stadiumin “Fadil Vokrri”

Prishtinë | 19 Mar 2024 | 13:44 | Nga Ekonomia Online

Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit pritet të nënshkruajë sot kontratë në vlerë prej 1 milion e 319 mijë euro për ndërtimin e sistemit të ri të fushës së lojës në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë.

Kjo do të bëhet në përputhje me rregulloret, udhëzimet teknike dhe produktet e specializuara për infrastrukturë të stadiumeve, të miratuara nga UEFA.

Ky tender është dhënë me procedurë të negociuar pa publikim të njoftimit për kontratë dhe punët do të kryhet nga grupi i operatorëve ekonomikë “HATKO SPORTS INTERNATIONAL L.L.C.; HATKO Dokuma Tekstil Insaat Taahhut ve Ticaret Ltd. Sti.; Hatko Uluslararasi Spor Teknolojileri A. S.

Sipas njoftimit të publikuar në e-prokurim, kohëzgjatja e kësaj kontrate është për gjashtë muaj. Kontrata është dhënë më 14 mars, shkruan Express.

“Ekzekutimi i punëve ndërtimore për zbatimin e projektit të hollësishëm [zbatues kryesor] të arkitekturës dhe inxhinierisë, për ndërtimin e sistemit të ri të fushës së lojës, në përputhje rregulloret, udhëzimet teknike dhe produktet e specializuara për infrastrukturë të stadiumeve, të miratuara nga UEFA, në Stadiumin ‘Fadil Vokrri’, në Prishtinë. Punët do të zbatohen në mënyrën më cilësore sipas kërkesës dhe specifikimit; bazuar në legjislacionin, rregulloret, normat standardet dhe kodet teknike [vendore dhe ndërkombëtare] në fuqi; në kufi të buxheteve dhe brenda afateve kohore të përcaktuara”, është përshkrimi i kësaj kontrate.

Të ngjashme