Ushtruesi i detyrës së ministrit të Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Fatmir Matoshi, ka pritur në takim kryetarin e Komunës së Klinës, Zenun Elezaj, me të cilin kanë nënshkruar një memorandum bashkëpunimi për realizimin e një projekti në fushën e mjedisit në komunën e Klinës.
Ky projekt i financuar nga Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor e ka vlerën 100 mijë euro, dhe po bëhet në kuadër të mbështetjes për komunat e Kosovë për përmirësimin e gjendjes së lumenjve.
Matoshi tha se ky është bashkëpunim për rregullimin e shtratit të lumit Drini i Bardhë, raporton Ekonomia Online.
“Ky memorandum bashkëpunimi është për rregullimin e shtratit të lumit Drini i Bardhë në Klinë dhe Komuna e Klinës njihet për lumenjët që i ka dhe duke qenë kështu mbetet prioritet i Ministrisë së Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor dhe shpresojmë që përmes këtij memorandumi bashkëpunimi kemi arritur t’i mbështesim qytetarët e Komunës së Klinës dhe kryetarin në punën e tij në qeverisjen komunale”.
Matoshi gjithashtu tha se në takim është biseduar edhe për Task Forcën “Ta pastrojmë Kosovën” dhe pret një mobilizim të përbashkët me Komunën e Klinës dhe me komunat e tjera, raporton EO.
“Gjithashtu biseduam me kryetarin edhe për çështjen e aksionit “Ta pastrojmë Kosoven” , ku presim një mobilizim të përbashkët me Komunën e Klinës, por edhe komuna tjera dhe për prioritete të tjera për qytetarët e Klinës, si infrastruktura që, pa dyshim, do ta kenë vëmendjen e Ministrisë së Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor”.
Kryetari i Komunës së Klinës, Zenun Elezaj, tha se ky memorandum është i rëndësishëm për mbrojtjen e lumit Drini i Bardhë dhe gjithashtu shpreson që Komuna që ai qeverisë të ketë mbështetje nga kjo ministri, raporton EO.
“Ky projekt që po vazhdojmë ta implementojmë është tejet i rëndësishëm për mbrojtjen e shtratit të Drinit të Bardhë dhe shpresoj mbështetje të mëtejme, sepse Klina është e pasur me lumenjë dhe shpresojmë bashkëpunim dhe mbështetje në të ardhmen nga ministria juaj, sepse kemi nevojë shumë”.