Ministri i Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor (MMPH), Fatmir Matoshi, sot në një takim me kryetarin e Komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti, diskutuan për Hartën Zonale, krijimin e zonave të gjelbra, veturat elektrike, policinë mjedisore si dhe tema të tjera mes dy institucioneve, raporton Ekonomi Online.
Ministri i MMPH-së, Fatmir Matoshi, tha se dikasteri që ai drejton ka vendosur që bashkë me Komunën e Prishtinës të bashkëfinancojë shumë projekte, një nga ta edhe hartimi i Hartës Zonale.
“Ne përfunduam një takim dhe sqaruam disa tema të rëndësishme, janë projekte të përbashkëta e që për qëllim kanë përmirësimin e kushteve të jetesës dhe infrastrukturës. Ne jemi dakorduar që bashkë me komunën të përfshihemi në projektin e Hartës Zonale dhe MMPH do ta mbështesë komunën në hartimin e Hartës Zonale. Gjithashtu do të vazhdojmë të jemi përkrahë komunës në fazën e përcaktimin të lokacionit të deponive të materieve të ngurta dhe do ta mbështesim edhe në mënyrë financiare. Folëm për një projekt me rëndësi për banesat në bashkëpronësi, kemi edhe një projekt që ne si MMPH do ta mbështesim”, tha Matoshi.
Projekte të tjera që MMPH-ja do marrë përkrahje edhe nga Komuna janë trajtimi i ujërave të zeza si dhe rregullimi i disa shtretërve.
“Gjithashtu ne do mbështesim edhe trajtimin e rregullimit të shtretërve të disa lumenjve, pastaj trajtimin e shtratit të lumit të Marecit. Kemi pasë kërkesë nga komuna për ta mbështetur me një kamion për lëvizjen e drunjve dhe ky është një projekt që ministria do ta mbështes. Një problem tjetër ka të bëjë edhe me dheun që duhet të gjejmë një vend ku ta deponojmë, do ta përcaktojmë edhe lokacionin. Jemi dakorduar që për këto projekte në një të ardhme të afërme do ta nënshkruajmë edhe një memorandum bashkë me Komunën e Prishtinës”, tha Matoshi.
Ndërsa i pari i Komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti, tha se gjitha këto projekte do kalojnë vlerën e mbi 1 milion eurove.
“Këtë vit me MMPH-në kemi disa projekte që arrijnë vlerën mbi 1 milion euro. Ajo çka dua të potencojë është procesi i Hartës Zonale të Komunës. Ne i kemi përfunduar të gjitha punët përgatitore dhe ideja ka qenë që ta kërkojmë ndihmën e MMPH-së për shkak që në këtë ministri gjendet një kapacitet i jashtëzakonshëm që na ndihmon në përfundimin e këtij procesi. Pra kjo ka qenë për mua pjesa më e rëndësishme”, tha Ahmeti, raporton EO.
Sipas Ahmetit, Komuna e Prishtinës do të ketë dy stacione për mbushjen e makinave elektrike, bashkëpunim ky me USAID-in dhe MMPH-në.
“Komuna do të ketë dy stacione për mbushjen e makinave elektrike, bashkëpunim ky me USAID-in. Rregullimi i prrockës në Hajvali, do ta përfundojmë dhe një pjesë e saj po vazhdon të shpërndahet në tokat e njerëzve dhe shtëpive të tyre”, tha Ahmeti.