Ministri i Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Fatmir Matoshi dhe kryetari i Komunës së Klinës, Zenun Elezaj, sot kanë nënshkruar një Marrëveshje Mirëkuptimi për bashkëfinancimin e projektit “Rehabilitimi i shtratit te lumit Klina”, i cili financohet nga MMPH-ja në vlerë prej 50 mijë euro për vitin buxhetor 2019.
Gjatë ceremonisë së nënshkrimit, ministri Matoshi tha se përmirësimi i gjendjes së lumenjve në Kosovë është njëra nga detyrat dhe prioritetet e MMPH-së.
Ministri Matoshi tha po ashtu se MMPH-ja përveç këtij projekti, në Klinë financon edhe projekte tjera në fushën e mjedisit.
“Sot me kryetarin e Klinës, kemi nënshkruar një memorandum bashkëpunimi për rehabilitimin e shtratit të lumit Klina . Ky projekt që do të financohet nga MMPH-ja, është mjaft i rëndësishëm për mjedisin në përgjithësi por edhe për banorët e komunës së Klinës. Ky projekt po ashtu do të ndikojë edhe në ruajtjen e biodiversitetit”, deklaroi ministri Matoshi.
Matoshi falënderoi kryetarin Elezaj për angazhim në fushën e mjedisit dhe inkurajoj që të vazhdojë edhe me tej, në menaxhimin efikas të mbeturinave dhe mbrojtjen e lumenjve.
Ndërsa kryetari i Komunës së Klinës, Zenun Elezaj, falënderoi ministrin Matoshi për përkrahjen që po i jep komunës së Klinës, ndërsa e vlerësoi të domosdoshëm projektin për rehabilitimin e shtratit të lumit Klina.