Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, bazuar në raportimet e mediave dhe të inspektoratit komunal të mjedisit nga komuna e Malishevës , lidhur me dukurinë e paraqitjes së ngordhjes së peshqve në rrjedhën e lumit Mirusha dhe atë në lokacionin nga Banja e Malishevës në drejtim të qytetit të Malishevës, është duke ndërmarrë masat e nevojshme për të vërtetuar shkaqet e ngordhjes së peshqve.
Sipas komunikatës thuhet se inspektorati i ujërave në kuadër të MMPH-së , bazuar në prezencën e inspektorit komunal në vend ngjarje, ka udhëzuar inspektorin që t’i marrë mostrat e ujit nga lumi i Mirushës për analiza të mëtejme të ujit nga lumi Mirusha për të identifikuar shkaqet e paraqitjes së ngordhjes së peshqve .
“Në këtë aspekt Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës pas pranimit të mostrave të ujit nga vendi i ngjarjes është duke bërë analizat në laborator për të verifikuar nëse cilësia e ujit ka ndikuar në ngordhjen e peshqve. Rezultatet mbi cilësinë e ujit do të raportohen pas përfundimit të analizave laboratorike të mostrës së sjellë në Institut”, thuhet në komunikatë
MMPH-ja inkurajon qytetarët që të bashkëpunojnë me organet përgjegjëse për të çdo informacion në lidhje me shkaqet që mund të kenë shkaktuar këtë fenomen.