Ministrja e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor (MMPH), Albena Reshitaj, ka pritur në takim përfaqësuesit e Agjencisë Japoneze për Bashkëpunim Ndërkombëtar (JICA), me të cilët ka diskutuar për zbatimin e projektit “Zhvillimi i kapaciteteve për kontrollin e ndotjes së ajrit në Republikën e Kosovës”.
MMPH ka përfituar nga JICA një projekt prej 4 milionë eurosh për kontrollin e ndotësve të mëdhenj të ajrit, raporton Ekonomia Online.
Ministrja Reshitaj falënderoi shtetin japonez, dhe në veçanti JICA-n për mbështetjen dhënë Kosovës dhe ministrisë që ajo drejton në fushën e mjedisit dhe planifikimit hapësinor, dhe tash së fundi edhe për miratimin e projektit të zhvillimit të kapaciteteve për kontrollin e ndotjes së ajrit në Kosovë. Sipas saj, ky projekt do të këtë ndikim pozitiv në ngritjen e cilësisë së ajrit në vend.
“Ne kishim një takim shumë frytdhënës. Ky projekt kushton rreth 4 milion euro urojmë që ky projekt të ketë mundësinë që të implementohet. Unë u zotova që do ta monitorojmë këtë projekt në mënyrën më të mirë të mundshme”.
“Projekti është për zhvillim të kapaciteteve për kontrollin e ndotjes së ajrit në Kosovë do të fillojë me kontrollin e ndotësve më të mëdhenj në Kosovë”, shpjegoi ministrja.
“Si ministri jemi duke u angazhuar në realizimin e projekteve dhe aktiviteteve konkrete që do të ndikojnë në ngritjen e cilësisë së ajrit, në bashkëpunim edhe me aktorët e tjerë ndërlidhës institucionalë vendorë dhe donatorët ndërkombëtarë”, shtoi Reshitaj.
Edhe Taizo Yamada, këshilltar i lartë në JICA, tha se ky projekt është shumë i rëndësishëm për Kosovën dhe për qytetarët e Kosovës.
I gjithë projekti do të zgjasë tri vjet. Yamada tregoi se projekti i zhvillimit të kapaciteteve për kontrollin e ndotjes së ajrit në Kosovë ka të bëjë me rehabilitimin e stacioneve për monitorimin e cilësisë së ajrit që përfshinë: Përcjelljen e matjeve të cilësisë e ajrit, analizat laboratorike, trajnimin e stafit për mirëmbajtjen e stacioneve për monitorim të cilësisë së ajrit dhe kalibrimin e instrumenteve, matjen e emisioneve në impiantet me djegie të madhe, përpunimin e rezultateve të fituara nga matjet, vlerësimi i gjendjes së kaldajave dhe elektrofiltrave në TC “Kosova A” dhe “Kosova B”.
Komuna e Prishtinës do të jetë pilot-projekt, ku do të bëhet vlerësimi i ndotjes së ajrit nga burimet e veçanta, duke përfshirë transportin, amvisërinë, shërbimet publike dhe industrinë. Po ashtu do të rishikohet rrjeti i monitorimit të cilësisë së ajrit, mundësia për pajisje edhe me ndonjë stacion tjetër të cilësisë së ajrit dhe vendosja e monitorit në kryeqytet për t’u informuar edhe qytetarët me gjendjen reale të cilësisë së ajrit në vend.