Ministrja e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Albena Reshitaj, është duke përgatitur strategji dhe plane konkrete për mbrojtjen dhe menaxhimin e qëndrueshëm të parqeve kombëtare që janë në për gjegjësi të MMPH-se, duke respektuar ligjet në fuqi.
Në kuadër të këtij plani sot në hyrje të qendrës turistike në Brezovicë është rikthyer laura e cila tash e tutje do të menaxhohet nga MMPH-ja.
Reshitaj këtë vendim e ka marrë në dhjetor të vitit që shkoi.
“Vendosja e saj do t’i mënjanojë keqpërdorimet e mundshëm nga persona të paautorizuar të cilët në të kaluarën kishin obliguar qytetarët të paguajnë për hyrje dhe qëndrim në qendrën turistike”, thotë MMPH në një komunikatë për media.
Ndërkaq, gjithnjë sipas MMPH-së, deri në vitin 2015 të gjitha pjesët e parkut “Sharri” janë menaxhuar nga Agjencia për Mbrojtjen e Mjedisit të Kosovës, përveç pjesës së Shtërpcës e cila është menaxhuar për shumë vite jashtëligjshëm nga një kompani e ashtuquajtur “Serbia suma” të cilës u janë marrë pajisjet dhe objektet që ka shfrytëzuar.
“Kjo kompani jashtëligjshëm kishte vendosur laurën në hyrje të parkut në Brezovicë dhe mjetet e arkëtuara i kishte marrë për vete. Brezovica si qendër skijimi i takon zonës se dytë dhe të tretë të parkut kombëtare ‘Sharri’ të shpallura më 1984 e të zgjeruar në dhjetore të vitit 2012 me ligjin e ri të Parkut kombëtar ‘Sharri’”, ka thënë MMPH në këtë komunikatë.
Sipas këtij ligji parku menaxhohet nga Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, konkretisht Agjencia për Mbrojtjen e Mjedisit të Kosovës.