Këshilltarët e presidentes Vjosa Osmani janë mobilizuar për ta mbrojtur atë, pas kritikave të ish-shefit të saj Isa Mustafa, i cili sot e kritikoi ashpër presidenten Osmani si bllokuese në të kaluarën e liberalizimit të vizave për qytetarët e Kosovës.
Shefi i stafit të presidentes Osmani, Blerim Vela, duke provuar t’i dëshmohet Osmanit, e ka quajtur Isa Mustafën “zërin e podrumeve politike”, pasi ky i fundit ia kritikoi shefen për mosliberalizimin e vizave në vitin 2016.
Përmes një cicërime në Twitter, Vela ka shkruar se Mustafa nuk e duron faktin se Osmani është zëri i qytetarëve.
“Zëri i podrumeve politike, Isa Mustafa, nuk e përballon dot faktin se Presidentja Osmani është zëri i qytetareve kur kërkon që shtetet anëtare të BE të marrin vendime në linje me mbështetjen deklarative të shprehur sot në Bruksel për liberalizim të vizave për qytetaret tanë”, shkruan ai.
Vela ka thënë se Isa Musatafa s’ka pasur kurrë guximin ta luftojë krimin dhe korrupsionin. Sipas tij, ai ishte kthyer në shërbëtor politik që të mbes në pushtet.
“I pensionuar nga politika pas dënimit nga qytetaret me vote, ai s’ka kredibilitet te mbaj leksione. Ai kurre s’ka pasur guximin te luftoj krimin e korrupsionin. Përkundrazi, ishte kthyer në shërbëtor politik vetëm e vetëm që të mbes në pushtet – qoftë edhe një ditë më shumë”, shtoi ai.
Shefi i stafit në kabinetin e presidentes Osmani e ka akuzuar ish-kryeministrin Mustafa madje edhe për pafytyrësi.
“Andaj, sikur te kishte fytyre shoku Isa Mustafa, siç po shprehet ai (e qe nuk ka), do t’i kërkonte falje qytetareve të Kosovës për demin e pariparueshëm qe i ka bere vendit, si vasal i papërmirësueshëm dhe shërbëtor i dëgjueshëm i kapjes se shtetit dhe korrupsionit ne vend”, shkruan tutje ai.
“Do te duhet shume mund e kohe për t’i riparuar demet e shokut Ise e shpurës se tij politike. Por, kthim prapa s’ka, përkundër zhurmës në prapavijë te ca pensionisteve politik. Të hapur ndaj debatit e kritikes, por s’mund të qëndrojme indiferent ndaj baltosjes se punës tonë”, përfundon statusi i Velës.
Edhe këshilltari për media i Osmanit, Bekim Kupina, i ka reaguar Isa Mustafës.
Në një postim në Facebook, ai ka shkruar se Isa Mustafa më 2016 kishte uruar liberalizimin e vizave, duke ushqyer kështu sipas tij shpresën e rreme për qytetarët e vendit.
“Paaftësia e mbështjellur me urim. Urime liberalizimi, urime Kosovë! Ky mesazh triumfalist urimi është dhënë më 4 maj 2016. Bashkë me mesazhin është postuar edhe një foto në të cilën shihet z.Isa Mustafa, që me dorën në maus dhe koncentrimin me sytë katër, të bëhej sikur lajmin për liberalizim do ta pranonte me një klikim”.
“Z.Mustafa, ju fatkeqësisht uruat para kohës. Ju fatkeqësisht ushqyet shpresën e rreme për qytetarët e këtij vendi, sërish para kohe. Ju në atë kohë përdorët pretendimin se ka kritere të veçanta për shtete të veçanta”, shkruan ai.
Tutje Kupina ka shtuar se presidentja Osmani ndryshe nga ai ka kërkuar hapa konkretë për liberalizimin e vizave dhe jo vetëm premtime.
“Sot jemi këtu, pa e ngjallur shpresën e rreme, pa justifikime për kritere shtesë apo formulime të tilla. Siç e keni dëgjuar/lexuar, Presisdentja Osmani, si asnjëherë më parë në historinë politike të Kosovës, qartë dhe prerazi tha: Kemi dëgjuar shumë deklarata përkrahëse për Kosovën. Së pari, për perspektivën europiane të saj, së dyti për liberalizimin e vizave dhe e treta për rreshtimin e plotë të Kosovës me BE-në sa i përket sanksioneve ndaj Rusisë. Duhet të shkojmë tash nga fjalët në veprime. Na duhen hapa konkretë përveç thjesht deklaratave. Duhet të merret vendimi për liberalizim të vizave”, shtoi ai.
Kupina i ka thënë Mustafës se fjalët që tha sot presidentja Osmani është dashur t’i thotë ai më 2016-ën.
“Z.Mustafa, tre rreshtat e fundit të kësaj fjalie, ishte dashur t`i thoni ju më 2016, porse nuk patët guxim. Strukja karshi situatës atëkohë ka prodhuar situatën e sotme, kur ne vazhdojmë të jemi të izoluar. Z.Mustafa, në deklarimet e Presidentes Osmani nuk pati shpresë të rreme, por pritje realiste. Ju ia keni bërë hyzmetin, sot po i korrim frutat e politikës suaj të paaftë. Juve ju ka munguar qartësia, por sot në krye të shtetit e keni zonjën Osmani, e cila siç tha më të drejtë gazetari gjerman: e qartë kristal, argumentuese, e diferencuar, pozitive dhe retorikisht e përsosur”, shkruan Kupina.
Krejt në fund ai ka shkruar se për Mustafën liberalizimi i vitit 2014 është ende valid, teksa shton se shpreson se ai ka ndërrua kalendarin.
“Mbase për ju z.Mustafa, urimi për liberalizimin më 2014 ende është valid! Apo, shpresoj ta keni ndërruar kalendarin!”, përfundon postimi i tij.
Ishte deklarata e ish kreut të LDK-së se presidentja Vjosa Osmani e kryeministri Albin Kurti i kanë lanë qytetarët pa liberalizim të vizave, ajo që nxiti reagime politike nga zyra e presidentes.
“Është Vjosa Osmani, Albin Kurti, Shpëtim Bulliqi e piromanet e tyre që në vitin 2015 e 2016, kur ne ishim në një pako me Ukrainën dhe Gjeorgjinë për liberalizimin e vizave shpiknin të pavërteta për ta penguar ratifikimin si kusht të liberalizimit”, shkroi Mustafa, derisa shtoi se Osmani të enjten “nuk u takua në Bruksel me bllokuesin e liberalizimit”.
Ai ironizoi edhe me fjalimin e presidentes Osmani në këtë samit.
“Gati më shkuan lotët kur e lexova deklaratën e Vjosës se vetëm asaj i është dashur viza për këtë takim në Bruksel. Çfarë ironie. Kjo mendon se populli e ka mbajtje mendjen e peshkut”, shkroi tutje ish-kryeministri Mustafa.
Sipas tij, Osmanit e Kurtit në vend të liberalizimit “duhet t’u jepen medalje për mashtrim të popullit”.
“E lanë pa viza, e ua morën mbi 50 për qind të votave. Aferim”, tha tutje ai.
Deri më tani, njëherë nuk ka më reagime “partizane” të tjera nga Zyra e Presidentes.