Një batutë e moderatorit të njohur gjerman, Markus Lanz në emisionin e tij të tipit Talkshow që mban emrin e tij, ka nxitur shumë reagime ndërsa kulmin e ka arritur me reagimin e kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama, shrkuan albinfo.ch duke iu referuar mediave gjermane.
Por cili ka qenë sfondi i këtij skandali mediatik që ka bërë kaq shumë jehonë?
Në emisionin e tij, Lanz kishte të ftuar ministrin federal të komunikacionit, Andreas Scheuer. Gjatë debatit mes tyre disa herë ka pasur ngritje të “temperaturave” dhe janë përdorur edhe fjalë të papeshuara. Por fjalia që ka ndezur gjakrat ka qenë kjo: “Kështu siç po flasim ne këtu… ky është niveli i lojtarëve shqiptarë të kapuçave”. Me “lojtarë kapuçash” në zhargonin gjerman nënkuptohen lojtarët mashtrues, kryesisht shqiptarë, të cilët në sheshet e qyteteve gjermane joshin kalimtarët të luajnë një lloj “loje shpërblyese” me kapele, shkruan albinfo.ch. Nga kjo lojë pothuaj gjithmonë kalimtarët dalin humbës.
Edhe gjatë transmetimit të emsiionit, disa shikues kanë akuzuar përmes Twitter-it moderatorin për racizëm. Por ndërkaq batuta nuk u prit mirë nga Kryeministri i Shqipërisë. Për gazetën Bild, Rama ka thënë: “Jam shumë i befasuar që mund të dëgjohet kjo mënyrë të foluri në një stacion televiziv, të njohur si ZDF. Nuk e di nëse ky është një gabim i pafajshëm apo një etiketim raciste i shqiptarëve si një popull. Por, sidoqoftë, është evidente se bëhet fjalë për një frazë të turpshme ”.
Rama ka vazhduar: “Nuk është hera e parë dhe as e fundit që shqiptarët bëhen shënjestër e gazetarëve dembelë, por kur diçka e tillë vjen nga një kompani mediatike shumë e respektuar si ZDF dhe e thënë nga dikush që ka reputacion të tillë të veçantë si z. Lanz, kjo sigurisht që lëndon shumë. Një kërkim ndjese brenda vetë emisionit, do ta paraqiste këtë si një gabim të pafajshëm, ndërsa e kundërta do të ishte edhe më e dëmshme se vetë fjalia e turpshme e shqiptuar”, ka thënë Rama.
Deri më tani nuk ka pasur asnjë reagim nga Lanz apo ZDF.