Mogherini dhe Hahn: Të shmangen aktet e dhunshme

Prishtinë | 21 Shk 2019 | 11:25 | Nga Ekonomia Online

Një tjetër reagim ndërkombëtar ka ardhur lidhur me protestën e opozitës e cila po zhvillohet këtë të enjte para Parlamentit. Shefja e Politikës së Jashtme të Bashkimit Evropian Frederica Mogherini dhe komisioneri Johannes Hahn kanë lëshuar një deklaratë ku mbështesin protestën, por dënojmë fuqishëm çdo retorikë nga udhëheqësit politik që bën thirrje për dhunë.

“Ne riafirmojmë të drejtën e qytetarëve për të demonstruar paqësisht, si një tipar thelbësor dhe vlerë bazë e demokracisë, por ne dënojmë fuqishëm çdo retorikë nga udhëheqësit politik që bën thirrje për dhunë.

Vendimi i opozitës për heqjen dorë nga mandatet e tyre pengon seriozisht funksionimin e demokracisë në Shqipëri. Parlamenti është vendi ku reformat dhe zhvillimet përkatëse duhet të diskutohen dhe të merren përpara, e jo të bojkotohen.

Këto vendime dhe akte janë kundërproduktive, shkojnë kundër zgjedhjes demokratike të shtetasve shqiptarë dhe minojnë progresin që vendi ka bërë në rrugën e Bashkimit Evropian.

Bashkimi Evropian pret që të gjithë anëtarët e Parlamentit shqiptar të mbrojnë idealet dhe parimet e demokracisë, të vazhdojnë të shërbejnë në Kuvend dhe të marrin të gjitha masat e nevojshme për të shmangur aktet e dhunshme.

Ne po ashtu presim që qeveria dhe opozita të angazhohen në diskutime konstruktive me qëllim tejkalimin e situatës aktuale politike në të mirë të Shqipërisë dhe qytetarëve të saj”.

Më herët ambasada amerikane në një reagim të sajin tha se portestuesit duhet të jenë paqësorë dhe Policia e Shtetit të vetëpërmbahet.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme