Pahor-Mogherinit: Zgjidhja e problemit Kosovë-Serbi të mos bazohet në parime etnike

Prishtinë | 20 Shk 2019 | 17:06 | Nga Ekonomia Online

Presidenti i Sllovenisë, Borut Pahor, është takuar sot me përfaqësuesen e lartë të Brukselit, Federica Moherinin, ku kanë biseduar rreth vazhdimit të dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë dhe marrëveshjes finale.

Pahor i ka thënë Mogherinit zgjidhja për Kosovën do të duhet të jetë origjinale dhe nuk duhet të bazohet në parime etnike, shkruan agjencia sllovene e lajmeve STA.

Ai ka thënë se i gjithë procesi duhet menaxhuar gjatë gjithë kohës, me respekt të ndërsjellë dhe kontroll të plotë nga komuniteti ndërkombëtar.

Presidenti slloven ka thënë se ideja e korrigjimit të kufijve si zgjidhje finale ndërmjet Kosovës dhe Serbisë është parë me skepticizëm dhe ka ngritur dyshime tek perëndimi.

Aktualisht dialogu ndërmjet Kosovës dhe Serbisë është bllokuar, pasi Vuçiq nuk pranon t’i rikthehet bisedimeve pa e hequr Kosova vendimin për taksë ndaj produkteve serbe.

Si ide për zgjidhjen finale të problemit ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, ishte promovuar korrigjimi i kufijve dhe shkëmbimi i territoreve ndërmjet dy shteteve, gjë që u kundërshtua nga vendet e rajonit, Gjermania e Franca.

Sipas tyre kufijtë ndërmjet dy shteteve nuk mund të bazohen në vija etnike.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme