Ish-eprori i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Remzi Shala, i njohur si “Molla e Kuqe”, është intervistuar nga Gjykata Speciale.
Ndonëse refuzoi ftesën e Gjykatës Speciale, madje edhe u largua nga vendi për tu mos u paraqitur në këtë Gjykatë, prapë se prapë, Remzi Shala është intervistuar nga përfaqësuesit e kësaj gjykate.
Këtë e ka konfirmuar për lajmi.net, avokati mbrojtës i tij, Natal Bullakaj.
Bullakaj ka thënë se intervistimi i klientit të tij ka zgjatur dy ditë dhe është kryer një ditë para se Gjykata Themelore në Prizren të shpallë aktgjykimin për të për krime lufte.
“Klienti im e ka kryer intervistën në Speciale më 1 dhe 2 korrik. E kemi kryer intervistimin para se me u shpallë aktgjykimi këtu në Kosovë”, ka treguar Bullakaj për lajmi.net.
I pyetur se në çfarë cilësie është intervistuar “Molla e Kuqe”, Bullakaj ka thënë se gjatë procesit të intervistimit më shumë është dukur si dëshmitar.
“Nuk ka pasur diçka konkrete ka qenë si i dyshimtë, por më shumë më është dukur si dëshmitar. Nuk ka pasur asnjë vijë që e ngarkon. Kam kërkuar edhe bazën e dyshimit, por s’ka pasur diçka konkrete”, u shpreh ai.
Theksojmë, se Remzi Shala kishte ikur nga Kosova vitin e kaluar kështu duke refuzuar ftesën e Gjykatës Speciale që të paraqitej në muajin janar të këtij viti.
Ndërkaq më 3 korrik të këtij viti, Gjykata Themelore në Prizren e kishte shpallur fajtor “Mollën e Kuqe”, për krime të luftës.
Sipas vendimit të kësaj Gjykate, Remzi Shala është dënuar me 14 vjet burg dhe se ndaj tij do të vazhdojë masa e paraburgimit deri në plotfuqishmërinë e vendimit të gjykatës.