Aktivisti i Lëvizjes Vetëvendosje, Vlorian Molliqaj i cili është edhe vëllai i deputetit Dardan Molliqaj ka komentuar ftesën për dialog nga kandidati i vetëm për kryetar të VV-së, Albin Kurtit.
Sipas Molliqajt dy deklaratat e vete publike të Kurtit pas daljes nga burgu nuk ka pasur asnjë thirrje për t’u ndalur gjuha linçuese. Sipas tij heshtja i ka dhënë mbështetje asaj që ndodhi.
“Kohë shumë e gjatë, e vetëm dy letra. Fatkeqësisht asnjëherë, as para daljes së problemit në publik, e as pas daljes, as edhe një lutje për aktivistët për ndaljen e gjuhës linçuese dhe ofendimeve në rrjete sociale dhe shpifjeve nga më të ulëtat nëpër grupe joformale. Heshtja në momentet më të vështira të organizatës nuk është asgjë tjetër pos mbështetje e gjithë kësaj që po ndodh”, ka shkruar Molliqaj.
Ai më tej ka shkruar se nëse Albini do të kërkonte të mos ofendohej ë këtë mënyrë kjo do të ndalej. Sipas tij paradite t’ua hapësh derën e pasdite t’i ftosh për dialog është hipokrizi.
“Por, edhe letrat të cilat nuk iu bëjnë thirrje aktivistëve për qetësi dhe ndalje të kësaj gjuhe, por me heshtje i përkrahin ato, nuk janë serioze dhe nuk kanë qëllime përbashkuese. Ashtu siç të gjithë e dini besoj, do të mjaftonte një lutje nga Albini dhe askush nuk do të ofendonte në këtë mënyrë. Fatkeqësisht, me këto dy letra nuk u komunikua me aktivistin por u kumtua qëndrimi që nuk le hapësirë për dalje nga kjo gjendje. Paradite t’ua hapësh derën e t’i quash tradhtarë përmes piunëve bashkëthemeluesit e Lëvizjes, e pasdite t’i ftosh për dialog, nuk është asgjë tjetër pos hipokrizi”, ka shkruar Molliqaj.