Sekretari organizativ i Lëvizjes Vetëvendosje, Dardan Molliqaj në një konferencë për media ka theksuar se ndaj tyre po zhvillohet një betejë speciale.
Molliqaj ka theksuar se kohëve të fundit kemi qenë dëshmitar të një beteje, që sipas tij, po zhvillohet në mes dy grupeve të rëndësishme në Kosovë.
“Në njërën anë është Klani Pronto që ka kap në çdo cep institucionet e Kosovë, dhe në anën tjetër kemi qytetarin dhe subjektet opozitare në veçanti Lëvizjen Vetëvendosje. Klani Pronto ka për qëllim me vazhdua jetën e vet, kapjen e institucioneve dhe dobësimin dhe shkatërrimin e të vetmes opozitë demokratike në vend”, ka thënë Molliqaj.
Duke folur për arrestimin e gjashtë aktivistëve të kësaj lëvizje të cilët dyshohen se kanë kryer sulmin ndaj Kuvendit të Kosovës, Molliqaj ka theksuar se kjo është një luftë speciale, e cila po bëhet ndaj Vetëvendosjes, sepse sipas tij, asnjëri prej aktivistëve të arrestuar nuk ka qenë i përfshirë në këto akte, dhe në fund do të dal e vërteta se pushteti po mundohet në çdo mënyrë ta shuajë opozitën dhe Vetëvendosjes.
“Prokuroria dhe policia po duan ta lidhin Vetëvendosjen me terrorizmin edhe pa pasur asnjë provë sepse kështu mund të kenë qasje të plotë në komunikim. Për t’i akuzuar padrejtësisht aktivistët e Lëvizjes dhe për t’i quajtur ata terroristë, Policia ka mbajtur dy konferenca për shtyp, disa komunikata dhe ka ekspozuar armë që nuk janë fare të aktivistëve”.
“Ndërkohë, i akuzuari serb Slobodan Gavriq të cilit i ishin gjetur 13 kg eksplozivë dhe dyshohej më të vërtetë për sulm terrorist, Policia nuk kishte mbajtur asnjë konferencë dhe nuk i kemi parë asnjëherë 13 kilogramët me eksplozivë të ekspozuar nga Policia e Kosovës. Njëjtë ka ndodhur edhe me rastet e tjera të dyshimit për terrorizëm”, ka thënë Molliqaj.
Më tej, Molliqaj ka publikuar disa fotografi përmes së cilave ka akuzuar RTK-në për fushatë kundër Lëvizjes Vetëvendosje.
Në ato fotografi shihet Kryeredaktori i RTK-së, Ridvan Berisha dhe Asdren Agushi, gjithashtu nga RTK, pastaj Luan Keka, drejtori i anti-terrorizmit në Policinë e Kosovës, bashkëshortja e Kekës, Miranda, kandidate për deputete nga PDK, e cila, sipas Molliqajt, është e afërt me tashmë shefin e Grupit Parlamentar të PDK-së, Zenun Pajaziti.
Për Molliqajn, kjo foto dëshmon ndikimin që PDK ka në televizionin publik, i cili, sipas tij, ka nisur fushatë të fuqishme kundër VV-së.
Në një tjetër fotografi, të publikuar gjatë konferencës së Vetëvendosjes, shihen sërish Ridvan Berisha e Asdren Agushi në shoqërinë e Zenun Pajazitit, ish-ministër i Brendshëm, i cili, sipas Molliqajt, në kohën e postit të ministrit kishte ngritur në pozitë policin Luan Keka.