Kryetari i Partisë Socialdemokrate (PSD), Dardan Molliqaj, në një konferencë për medie, ka ngritur dyshime për tri probleme potencialisht kriminale të cilat e rëndojnë edhe më shumë krizën energjitike në Kosovë, raporton Ekonomia Online.
Molliqaj ka thënë se blloqet A3 dhe A5 të TC “Kosova A” në Obiliq janë rrëzuar nga funksioni qëllimshëm nga KEDS-i për ta dëmtuar reputacionin e KEK-ut. E sipas tij, kjo është bërë në bashkëpunim me menaxhmentin e ri të KEK-ut dhe me Qeverinë e Kosovës.
Molliqaj ka alarmuar se në këtë krizë, 10 inxhinierë të KEK-ut janë dërguar në pushim të detyruar.
Molliqaj deklaroi se qytetarët e Kosovës janë duke u përballur të vetmuar me krizën energjitike. Përderisa rryma është në reduktime, në njërën anë Qeveria e Kosovës nuk ka ndërmarrë asnjë hap paraprak për t’i paraprirë krizës energjitike dhe në anën tjetër kemi KEDS që për të ruajtur profitin e saj nënshtron qeverinë që t’i jep para dhe të detyrojë qytetarët të paguajnë dyfish rrymën të cilën nuk po e kanë nëpër shtëpitë e tyre.
Sipas burimeve të brendshme brenda Korporatës Energjitike të Kosovës, Molliqaj tha se kanë hasur në tri probleme potencialisht kriminale të cilat e rëndojnë edhe më tutje krizën energjitike në Kosovë.
“Rënia e blloqeve A3 dhe A5 në të njëjtën kohë duket që të jetë e qëllimshme dhe e shkaktuar nga KEDS. Në mungesë të shkarkimit të rrymës dhe kthimit të saj nga KEDS drejt termo-elektranës A3 dhe A5 ka ndodhur dëmtimi i qëllimshëm i tyre. Nëse dyshimi ynë vërtetohet nëpërmjet një hetimi atëherë implikimi këtu është që KEDS, së bashku me pushtetin, kanë bashkëpunuar që të dëmtojnë reputacionin e kompanisë publike KEK duke e lënë fajtore për krizën energjitike nga mosprodhimi i sasisë së mjaftueshme të energjisë. Poashtu, për herë të parë menaxhmenti i ri i Kosova A ka vendosur pushim të detyruar të mbi 10 inxhinierëve kryesor të prodhimit pas kësaj ngjarje. Nëse ky veprim është në vazhdën e veprimeve për të minuar KEK-un, atëherë ne duhet të informohemi domosdosshmërisht për arsyen e rrjedhojës së pushimit të detyruar si dhe arsyen pse qeveria e Kosovës nuk ka renovuar asnjë kontratë për furnizim me materiale shpenzuese me KEK-un”.
“Për herë të parë në Kosovë Ministria e Zhvillimit Ekonomik po dëshiron të arrijë marrëveshje me Maqedoninë e Veriut. Çka dijmë është që Republika e Maqedonisë së Veriut ka ndarë buxhet për blerjen e thëngjillit për 60 euro për tonelatë. Nga informatat e deritanishme, Kosova është e gatshme ta shes thëngjillin për 17 euro për tonelatë dhe 16 euro për tonelatë për transportin e saj deri në Maqedoni. Nëse llogarisim sasinë që do të shitet atëherë kemi të bëjmë me një fitim marramendës prej 81 milionë eurosh që përfundon në xhepa privat apo edhe i zyrtarëve publik të ndërlidhur me këtë çështje. Kërkojmë urgjentisht nga Ministria e Zhvillimit Ekonomik që negociatat për këtë kontratë të bëhen publike sa më shpejt. Po ashtu, shprehim kundërshtimit tonë me diskrepancën kaq të madhe në mes të ofertës së vendosur nga Prokurorimi Publik dhe shitjes eventuale që mund të bëhet. Potenciali për zhvatje është i madh dhe këtu duhet të jemi vigjilent”.
“Po ashtu, çka dijmë prej prodhimit të rrymës nga termocentralet A dhe B është që gjatë natës ato janë duke prodhuar rreth 200 MgH më shumë sesa që konsumohet. KEDS duhet të publikoj pasqyra ditore për konsumin e energjisë si dhe blerjen e shitjen e rrymës që po ndodh”.
Kreu i PSD-së kërkoi me urgjencë nga institucionet përkatëse që për dyshimet e keqpërdorimeve brenda KEK dhe KEDS të nisin hetimet sa më parë. “Po ashtu ftojmë të gjithë që kanë informata dhe mediat hulumtuese që të publikojnë informacionet që i kanë në lidhje me ngjarjet e fundit rreth krizës energjitike dhe keqpërdorimeve në këto dy kompani”.
Alarmante, ai e ka konsideruar edhe mosrenovimin e kontratave për materialet shpenzuese në KEK.
Ai tha se nga ardhja në Qeverie kryeministrit Albin Kurti, asnjë kontratë nuk është rinovuar.
“Ka katër ditë që në ‘Kosova A’ ka mungesë të acidit. Një element i domosdoshëm dhe tejet i rëndësishëm për vazhidmin e punës në këtë kompani”, ka thënë Molliqaj.