Kryetari i PSD-së, Dardan Molliqaj ka kritikuar vendimin e LDK-së për të qëndruar në sallën në seancën ku Vjosa Osmani pritet të zgjedhet presidente.
Ai përmes një postimi në Facebook ka thënë se ky veprim është vulosje e qeverisjes centraliste, ku të gjitha institucionet qojnë në një adresë, tek lideri suprem.
Molliqaj ka thënë se ky vendim do të prodhojë pasoja për LDK-në.
Postimi i plotë:
Lumiri “krejt dhe drejt “
LDK paska vendosur, të gjithë në rresht për Vjosa Osmanin presidente. Kjo na qenka tradita e LDK-së – institucionalizmi. Epo, nuk është e vërtetë. LDK e mban veten si subjekt i ngjarjeve që prodhoi rrëzimi i monizmit. Thotë se është sinonim e simbol i pluralizmit demokratik. Nëse është kështu, veprimi i tyre për ta mundësuar presidentin “Krejt dhe Drejt” është vulosje e qeverisjes centraliste, ku të gjitha institucionet qojnë në një adresë, tek lideri suprem. Ky veprim po e instalon praktikën e byrosë politike të dikurshme, nën formën e demokracisë parlamentare.
Për më tepër, LDK duhet ta dijë se do ta mbajmë përgjegjëse për pasojat që do të prodhojë ky koncentrim pushteti. Me shembuj nga historia i dimë bolshevikët, me shembuj nga aktualiteti po i shohim popullistët. Askush s’mund të shfajësohet nesër për pasojat. Këtu jemi dhe po ju shohim. Ky është oportunizëm elektoral i llogaritur keq. Keq sepse ju prapëseprapë nuk po e ngritni një valë, qoftë edhe populliste. Thjesht jeni bërë konfirmues të tjetrit.
Veprimi juaj është strukje. Strukje sepse keni pranuar instancë gjykimi jashtë vullnetit tuaj. Është mizore kjo instancë, sa më shumë dëshmohesh, me fajtor do të ndjeheni.