Molliqaj “zbulon” strukturat kriminale në Polici

Prishtinë | 13 Pri 2017 | 14:54 | Nga Albulena Misini Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Sekretari organizativ i Lëvizjes Vetëvendosje, Dardan Molliqaj, në një konferencë shtypi ka prezantuar, sikur tha ai, skemën e krimit të organizuar brenda Policisë së Kosovës.

Në krye të kësaj skeme, sipas aktivistit opozitar, është Kadri Veseli.

Molliqaj tha se kjo skemë ka bërë që Kosova të renditet si vend me nivel të lartë të krimit të organizuar dhe trafikimit me qenie njerëzore dhe drogë në raportet e progresit dhe raporte të tjera ndërkombëtare.

“Në bazë të informatave tona dhe publike kemi ndërtuar një strukturë, e cila sipas qëndrimeve tona paraqet një pjesë të rëndësishme të strukturës kriminale brenda Policisë së Kosovës. Në krye të skemës është Kadri Veseli, i cili për një kohë të gjatë ishte në krye të Shërbimit Informativ të Kosovës, kurse tash është në krye të Kuvendit dhe PDK-së”.

Në “skemën” e paraqitur, sipas Molliqajt, shfaqen qartë lidhjet e drejtuesve të departamenteve kryesore në Policinë e Kosovës me Kadri Veselin dhe PDK-në. Njeriu i dytë, në këtë skemë, sipas zyrtarit të lartë të VV-së është Elmi Reçica, ish-njeriu i dytë i ShIK-ut.

Molliqaj ka folur edhe për përgjimet në Kosovë.

Sipas Molliqajt përgjimet që janë bërë nga Policia e Kosovës në vitet e fundit, janë bërë në mënyrë të jashtëligjshme.

“Sipas informatës sonë, për vite të tëra përgjimet e Policisë së Kosovës kanë qenë të jashtëligjshme”, ka thënë ai.

“Nuk e di nëse ekziston edhe sot, por dhoma ku janë bërë përgjimet ka qenë brenda policisë, ku ka përgjuar qytetarët pa asnjë vendim”.

Molliqaj ka thënë se në një rast të tilla ka shkelje të ligjit.

Ai madje ka thënë se Policia e Kosovës duhet të bëjë publike kontratat që ka me operatorët e telefonisë mobile në vend.

“Këto kontrata për vite të tëra kanë qenë të ndryshme. Le të bëhen publike kontratat.”

“Është shqetësues niveli i krimit në Policinë e Kosovës. Ndryshimet në Kosovë nuk mund të jenë vetëm kozmetike. Po lulëzon krimi, e nuk arrestohet politikanët”, ka thënë Molliqaj.

 

Të ngjashme