Kur flitet për futbollistët që janë shndërruar në legjenda të A-Leagues së Australisë, atëherë në krye të kësaj liste pa pikë dyshimi gjendet sulmuesi Besart Berisha. Lista e arritjeve të tij prejse u transferua në Australi, pak para edicionit 2011/12, është shumë e gjatë, me shtatë trofe, përfshirë katër tituj kampioni, si dhe rekord të vendosur për gola të shënuar.
Berisha jeton për të dërguar topin në rrjetë dhe mbetet njeriu i vetëm që ka shënuar 124 gola në A-League. Kjo e bën golashënuesin më të mirë në histori të kampionatit. 34-vjeçari, të dielën, do të jetë para një momenti tjetër historik në futbollin australian, shkruan sot Koha Ditore.
Ai do ta regjistrojë ndeshjen e tij jubilare, të 200-të, kur të dalë në fushë në përballen e skuadrës së tij Western United me Adelaiden, që zhvillohet në kuadër të xhiros së 15-të në A-League. Por, përpara kësaj ndeshjeje që do të jetë një arritje tjetër e madhe e Berishës, ja pesë momentet më epike të sulmuesit që i ka shijuar gjatë 199 ndeshjeve të luajtura deri më tash.
Historia me Western Unitedin
E diela e 13 nëntorit 2019 ishte ditë historike për Wester Unitedin, pasi debutoi në A-League. Luajti në udhëtim kundër Wellington Phoenixit. Përderisa të gjithë po e shijonin këtë moment, ishte normale që Berisha të dilte në skenë për të pushtuar ballinat. Berisha u tregua vendimtar, pasi shënoi golin e vetëm në ndeshje, duke i dhënë Westernit fitoren e parë në A-League për një start premtues ekipit me trajnerin Mark Rudan në krye. Për Berishën, ky ishte goli i 117 në këtë kampionat dhe ai deri më tash ka shënuar tetë gola për Westernin këtë edicion që zë vendin e pestë në tabelë me 20 pikë të tubuara.