Pamje nga bastisjet në 77 lokacione në tërë Kosovën, arrestime dhe sekuestrime të shumta u shfaqën në rubrikën “Policia” të emisionit “Drejtësia në Kosovë”.
Në rubrikën “Policia” u shfaq aksioni ku Policia bastisi 77 lokacione në tërë Kosovën, sekuestroi mjete prej më të ndryshmeve, të cila ishin pjesë e krimit të organizuar, organizimit të skemave piramidale, shmangie nga tatimi, pjesëmarrje në organizatë kriminale, marrje ryshfeti dhe keqpërdorim i autoritetit apo autorizimeve përkatëse dhe arrestoi 8 persona, dy prej tyre zyrtarë të Administratës Tatimore të Kosovës (ATK).
Në pamjet e shfaqura, të cilat janë bërë më datë 1 të këtij muaji, shihen pjesëtarët e Policisë së bashku me zyrtarë të Doganës së Kosovës, dhe zyrtarë të ATK-së, ku arrijnë të lokalizojnë dhe bastisin lokacione me ç’rast kishte dyshime për krim të organizuar.
Sipas, drejtorit të Drejtorisë për Hetimin e Krimit të Organizuar, Rexhep Fetahu, ky aksion është bërë në bashkëpunim me Doganën e Kosovës dhe ATK-së.
Në pamjet të cilat i sjell ‘Drejtësia në Kosovë’ shihet aksioni policor duke filluar nga rajoni i Gjilanit e duke vazhduar me dy lokacione të tjera në Pejë.
Fetahu pas përfundimit të aksionit tha se tetë persona janë arrestuar, përfshirë këtu dy zyrtarë të ATK-së, ndërsa edhe dy të tjerë janë në kërkim.
“Tanimë operacioni ka përfunduar, me këtë rast janë arrestuar 6 persona të rastit dhe dy janë në kërkim. Në këtë operacion janë arrestuar edhe dy zyrtarë të ATK-së, të cilët kanë qenë të involvuar në kryerjen e veprave të cekura më herët”, tha Fetahu.
E sekuestrimet të cilat i ka bërë Policia gjatë aksionit janë aparate të ndryshme të lojërave të fatit, dokumente të ndryshme, dy armë me 300 fishekë, 31 mijë euro e shumë gjëra të tjera të cilat vlejnë për procedurën hetimore.
Me urdhër të prokurorit të arrestuarit janë dërguar në mbajtje.