Festivali i “Sanremo-s” ashtu si çdo vit ka rrëmbyer vëmendjen e mediave italiane dhe jo vetëm. Pak ditë pasi drejtuesi artistik dhe prezantuesi i festivalit, Amadeus zbuloi emrat e prezantueseve që do e shoqëronin në skenë, mediat italiane kanë mësuar se sa do të paguhen ai dhe vajzat e famshme që do e shoqërojnë në skenë.
Sipas “Il Giornale” Amadeus do të fitojë rreth 600 mijë euro nga puna e tij, ndërsa pjesa më e madhe e prezantuesve, duke përfshirë edhe Alketa Vejsiun, do të paguhen nga 20-25 mijë euro. Kurse prezantuesja e njohur Antonella Clerici mund të paguhet 50 mijë euro.
Ndërkohë vazhdon të mbetet ende sekret shuma që do të marrin dy gazetaret e “Tg1” Emma D’Aquino dhe Laura Chimenti, si dhe Mara Venier, që do të ngjitet në skenë mbrëmjen e 8 shkurtit.
Nga ana tjetër, Monicca Belluci ka njoftuar ditën e sotme se ka hequr dorë nga prezantimi në festivalin italian. Pavarësisht se emri i saj u konfirmua gjatë një konference nga Amadeus, aktorja ka zbuluar se nuk do të jetë pjesë e “Sanremo-s”.
Ajo është shprehur se mes saj dhe Amadeus ka pasur disa takime për këtë rast, por për disa arsye nuk kanë arritur në një përfundim të përbashkët.
“Fatkeqësisht për disa arsye madhore nuk kemi arritur në një përfundim të përbashkët. I uroj Amadeus dhe skuadrës së tij suksese për festivalin dhe shpresoj për një shans tjetër në të ardhmen”, është shprehur Bellucci përmes zyrës së saj të shtypit.
Kujtojmë se këtë vit “Sanremo” do të mbahet në datat 4-8 shkurt në teatrin “Ariston”.