Të gjithë e dinë se disa automobila mund të monitorojnë sytë e shoferëve dhe të shfaqin paralajmërime nëse ata duken të përgjumur ose kur shoferët janë të pavëmendshëm. Por çfarë nëse automobili përdor teknologji për të parë më qartë se çfarë po shikon shoferi në xhamin e përparmë.
Kjo është ideja kryesore e gjeneratës së re të sistemeve të brendshme të automobilave nga “Nuance”, kompani e specializuar në njohjen e zërit, teknologji që përdoret nga më shumë se 60 firma. E emërtuar “Gaze”, platforma ka lëvizur nga faza e konceptit statik në testet në botën reale për gjatë gjashtë muajve të fundit dhe shefi i kompanisë, ArndWeil, ka thënë se është në bisedime me prodhues të automobilave për ta sjellë në treg, diku rreth vitit 2020, shkruan Koha Ditore.
Sipas “Auto-Express”, në testimet në rrugët afër Milanos në Itali, në një “FordGalaxy” vihet re se teknologjia e automobilit përcjell shumë mirë sytë e shoferit. Në një automobil të tillë është një tablet-kompjuter i lidhur për sistemin e automobilit dhe një modul kompjuterik për përcjelljen e syve të shoferit në krye të panelit të instrumenteve.
Gjatë testimeve, “Auto-Express” shkruan se menaxheri i produktit Daniel Kindermann pasi kalon një hotel e pyet teknologjinë: “Cili është vlerësimi i atij biznesi?”. Për pak sekonda sistemi përgjigjet duke dhënë jo vetëm emrin e biznesit, por edhe detajet e stilit të hotelit si dhe vlerësimin që kanë pasur klientët në të kaluarën. E njëjta vlen edhe për restorantet, duke shikuar anash në rrugë, Kindermann pyet sistemin për detajet dhe merr vlerësimin nga uebfaqet për vlerësim, plus një përshkrim të shkurtër për biznesin. Si hap shtesë, ai ka bërë të ditur se do të jetë e mundshme që të bëhen thirrje për biznese, për shembull, ose përdorimi i një shërbimi online për të rezervuar një dhomë apo një tavolinë.