Montgomery: I pritshëm mesazhi i Biden për njohjen e Kosovës, Serbia para zgjidhjes së vështirë

Prishtinë | 08 Shk 2021 | 18:37 | Nga Ekonomia Online

Ish ambasadori amerikan në Serbi, William Montgomery, thotë se nuk duhet të befasojë mesazhi që presidenti amerikan Joseph Biden i dërgoi presidentit serb Aleksandar Vuçiq, duke kërkuar një marrëveshje me Kosovën për njohjen reciproke.

Sipas ish-ambasadorit amerikan, Shtetet e Bashkuara fuqishëm kanë shtyrë pavarësinë e Kosovës, kështu që, thotë ai, është një mesazh i qartë që tregon se çfarë politike do të ndjekë administrata e presidentit Biden, e cila do të harmonizojë politikën e saj ndaj Kosovës me qasjen e Bashkimit Evropian.

“Qeveria serbe do të përballet me presion të vazhdueshëm në muajt e ardhshëm. E kjo do të thotë se Serbia do të gjendet para një zgjidhje të vështirë”, thë Montgomery, përcjell Telegrafi.

Montgomery, siç transmeton Tanjugu serb, ka thënë se ai personalisht e këshillon Serbinë që të refuzojë bisedimet mbi temën e zgjidhjes përfundimtare, në çfarëdo takimi. “Gjithmonë derisa të gjitha çështjet e tjera të pazgjidhura me Kosovën të zgjidhen plotësisht dhe pa kthim prapa”, tha Montgomery.

Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Joseph Biden, në një letër urimi presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, me rastin e Ditës së Shtetësisë së Serbisë, ka kërkuar nga ai arritjen e një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse Kosovë-Serbi, që do të përqendrohet në njohjen reciproke.

Biden në letrën e tij veçanërisht theksoi mbështetjen e SHBA-së për arritjen e një marrëveshje gjithëpërfshirëse për normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë, e cila përqendrohet në njohjen reciproke, transmeton Telegrafi.

“Ne mbetemi të palëkundur në mbështetjen tonë për qëllimin e Serbisë për integrimin evropian dhe ju inkurajojmë që të vazhdoni të bëni hapa të fortë përpara për të arritur atë qëllim – duke përfshirë krijimin e reformave të nevojshme dhe arritjen e një marrëveshje gjithëpërfshirëse të normalizimit me Kosovën të përqendruar në njohjen reciproke”, thuhet ndër tjerash në letrën e Biden.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme