Edhe këtë vit si çdo vit tjetër monumenti “Newborn” në Prishtinë do të marrë pamje tjetër. Këtë vit për dallim prej viteve tjera “Newborn” po përcjellë një mesazh global për festën e 17 Shkurtit.
Autori i monumentit “Newborn”, Fisnik Ismaili, në një intervistë për Ekonomia Online, tha se këtë vit ky monument ka për qëllim të përcjell mesazh tek qytetarët që të përkujdesen më shumë për mjedisin si dhe mos t’i përsërisin gabimet e shekullit të kaluar.
“Natyrisht tash është bërë traditë çdo vit me ngjyrosë, sivjet e ka një tematikë si çdo herë, Newborni merret me një çështje aktuale që ka të bëjë me neve si shoqëri, por diçka që ia japim si porosi krejt botës,çdo herë porosia ka qenë si një bashkë dyzim në mes neve edhe pjesëmarrësit tonë në botë. Çka është aktuale shumë kohëve të fundit, jo veç në Kosovë, por edhe në botë, është ambienti. Ne po përballemi këtu me shumë probleme ambientale, duke u nisur prej kryeqytetit që shpesh po na del i pari në botë si më i ndoturi e deri tek problemet e tjera, lumenjtë, shtretërit e lumenjve, drutë e vjedhur, përdorimi i makinave dhe gjithë këto që e dëmtojnë ambientin”, ka treguar Ismaili, për Ekonomia Online.
E çdo shkronjë e Newbornit ka domethënien e saj e cila fillon me natyrën dhe përfundon me natyrën.
“Mesazhi i Newbornit këtë vit që është mesazh global, janë problemet klimatike, ruajtja e ambientit dhe secilës shkronjë ia kemi dhënë nga një domethënie, fillon me shkronjën N përfundon me shkronjën N, N-ja është Natyra, E-ja është Energjia, w është water, në shqip Uji, B-ja është Biodiversiteti, O-ja është Oksigjeni dhe R-ja është Reciklimi. Të gjithë rrethohemi prej natyrës dhe secila shkronjë e e ka një domethënie të vetë të cilat po paraqesim nëpërmes doodles, i cili është një stil i vizatimit që është shumë i popullarizuar tash dhe secila shkronjë është e punuar prej një artisti”, tha Ismaili për Ekonomia Online.
Edhe këtë vit të rinjve kosovarë ju dha mundësia që aftësitë e tyre në art të i shprehin edhe gjatë punimeve të monumentit Newborn.
“Çdo ide për ngjyrosje, çdo vit duhet të aprovohet prej Institutit Kosovar të Mbrojtjes së Monumenteve, kemi dashtë ta bëjmë një mekanizëm të cilin duhet ta bëjmë patjetër ku e bëjmë një thirrje që të gjithë të aplikojnë më idetë e tyre, por meqenëse nuk ndodhi as këtë vit, ne aplikuam me ide, ideja është prej grupit tonë, në bashkëpunim me organizatën Mural Festi, si çdo vit kemi pasë artistë që kanë shprehë interesim me ardhë me punu me ne, janë të gjithë vullnetarë”, tha ai.
Ndonëse Kosova këtë vit ka shënuar ngjarjen e saj më të madhe, atë të transformimit të FSK-së në Ushtri, Ismaili thotë se ngjyrat e ushtrisë qytetarët nuk po i pëlqejnë, pasi sipas tyre ato japin një pamje të zymtë dhe ua përkujtojnë luftën.
“Padyshim se transformimi i FSK-së në Ushtri është ngjarje shumë e madhe, por është vetëm një ngjarje në mesin e shumë ngjarjeve të tjera. Newborni e ka pasë një tematikë ushtrie para 4-5 viteve, kur i kemi ngjyrosë të gjitha shkronjat me lara të kamofllazhave të 7 ushtrive të ndryshme që na kanë ndihmu gjatë luftës, ajo tematikë është tejkaluar një herë, kritikat më të mëdha i patëm marrë për atë Newborn, pasi që u ka dukë i zymtë, u ka përkujtuar luftën dhe u tejkalu kjo duke e trajtu një çështje e cila është më e rëndësishme se të gjitha temat e tjera”, u shpreh ai për Ekonomia Online.
Ismaili tha se kjo ide e re e cila po vjen me 17 shkurt të këtij viti, e që është pamja e re e Newbornit, do jetë një këshillë e cila do i shërbej posaçërisht të rinjve të Kosovës.
“Ambienti është më i rëndësishëm pasi po nuk pate kushte për jetë bazike, atëherë nuk të duhet as ushtria, as vetura, as puna, ne duhet të kemi një ambient ku duhet të jetojmë. Ne jemi fajtorë që po ua lënë fëmijëve kështu ambientin sepse ata do ta kenë për detyrë me i rregulluar gabimet që i kemi bërë ne në 30 40 vjetët e fundit, kjo më shumë shërben si një këshillë për rininë që duhet të përkujdesen dhe mos ti përsërisin gabimet që njerëzimi i kë bërë në shekullin e kaluar”, tha ai.
Monumenti “Newborn” u vendos në qendër të Prishtinës me 17 shkurt 2008, në ditën e shpalljes së Pavarësisë së Kosovës. Ai simbolizon lindjen e një shteti të ri siç është Kosova.