Morata ndodhet në Torino, në pritje të zyrtarizimit te Juventusi

Prishtinë | 22 Sht 2020 | 09:09 | Nga Ekonomia Online

Alvaro Morata ka arritur në Torino të hënën mbrëma, ku gjatë ditës së sotme (e martë) do t’u nënshtrohet ekzaminimeve mjekësore te Juventusi.

Pas testeve të zakonshme mjekësore, sulmuesi i Atletico Madridit do të huazohet për 10 milionë euro, me opsionin e blerjes për 45 milionë euro.

27-vjeçari ka arritur në Caselle Airport rreth mesnatës së mbrëmshme, ku ishte pritur nga gazetarët dhe disa tifozë.

Është një rikthim i spanjollit te Zonja e Vjetër, ku ka luajtur gjatë viteve 2014-2016, si i huazuar nga Real Madridi.

Sipas Sky Sport Italia, Juventusi e ka edhe një klauzolë për zgjatjen e huazimit edhe për një vit tjetër (për 10 milionë euro të tjera), në rast se nuk vendos ta blejë në qershor të vitit 2021 – ashtu që klubi italian do të mund ta blinte në vitin 2022 për 35 milionë euro.

Atletico Madridi është duke e liruar Moratan, sepse ka marrëveshje për transferimin e Luis Suarezit nga Barcelona.

Edin Dzeko ishte opsioni i parë i Zonjës së Vjetër, mirëpo Roma nuk e lejon largimin e tij pa arritur marrëveshje për Arkadiusz Milikun e Napolit, ashtu që Juve ka vazhduar me planin B.

Të ngjashme