FFK është sqaruar edhe rastin e mos ardhjes së Amir Rrahmanit, duke e bërë të ditur se ishin institucionet nga Regjioni i Napolit që nuk e lejuan ardhjen e kapitenit të Kosovës.
Skuadra e Napolit është në karantinë, pasi dy lojtarë të tyre kanë rezultuar pozitiv, ndërsa ndeshja e kësaj skuadre ndaj Juventusit ishte shtyrë.
FFK ka treguar edhe institucionet e involvuara që punuan ta sjellin Rrahmanin në Kosovë, por ishte vendim i autoriteteve shëndetësore të Regjionit të Napolit për të mos e lejuar.
“Presidenti Ademi me këtë rast falënderoi edhe institucionet shtetërore për angazhimin e tyre për ta sjellë Amir Rrahmanin në Kosovë, si Ministrinë e Sportit, Ministrinë e Punëve të Jashtme, ambasadën italiane në Prishtinë, ambasadoren e Kosovës në Romë, Federatën e Futbollit të Italisë si dhe UEFA-n e FIFA-n që kanë qenë të involvuara në këtë rast”.
“Ishte vendim i autoriteteve shëndetësore të Regjionit të Napolit për të mos e lejuar atë të udhëtojë në Kosovë. Prandaj, kritika ndaj këtyre futbollistëve është krejtësisht e padrejtë, sepse ata futbollistë janë vlerë e Kosovës”, thuhet në komunikatë.
Rrahmani së bashku me Vedat Muriqin dhe Milot Rashicën ishin mungesat e mëdha të Kosovës në ndeshje me Maqedoninë e Veriut.