Zhvillimin e turizmit të gjithë e duam! Mjedis apo turizëm, natyrë apo ndërtime?
Mjedisi vetë është “biznesi” ynë si komb!
Parku Kombëtar i Karavastasë ka një sipërfaqe prej 22,230 ha dhe ndodhet 5 km larg Divjakës.
Është zona më e rëndësishme përgjatë zonës bregdetare të vendit dhe nga më të rëndësishmet ne Mesdhe.
Në të rriten disa lloje të rralla pishash dhe një lloj i rrallë Pelikani, “Dalmatian Pelican”. Supozohet se 5 % e të gjithë pelikanëve të këtij lloji jetojnë aty.
Kolonia e Pelikanit Kaçurrel me rreth 60 çifte përfaqëson rreth 5% të numrit të përgjithshëm të kësaj specie në shkallë botërore.
Ky park është njëkohësisht pjesë e kompleksit Laguna e Karavastasë, që ndodhet nën mbrojtjen e Konventës Ndërkombëtare të Ramsarit, që nga viti 1994.
Një bukuri e rrallë dhe unike!
Por ditët e fundit është kërkuar shqyrtimi me procedurë të përshpejtuar i projektligjit “Për Zonat e Mbrojtura” në seancë plenare. Në Divjakë, është zhvilluar nga një kompani private një dëgjesë publike me banorët dhe grupet e interesit për të prezantuar resortin e ri turistik që propozohet të ndërtohej në Parkun Kombëtar të Divjakës, Karavasta, në parkun që deri dje mbrohej me ligj.
Ministria e Mjedisit ka ndryshuar statusin e zonës për të mundësuar Resortin turistik!
Në këto ditë kaq të rrëmujshme për politikën dhe në një parlament që nesër nuk do të jetë më, mesa duket i është ndryshuar edhe statusi kësaj pasurie kombëtare pa u ndier, pa u marr vesh dhe pa zhurmë!
“Ishte dëshpëruese të shihje se si çështjet legjitime të mjedisit, por dhe ato social-ekonomike nuk u morën në konsideratë dhe u trajtuan si diskutime akademike të Tiranës,” thotë Sebastian Berends, një ambientalist, këshilltar i Misionit të Kombeve të Bashkuara në Tiranë. Simboli i krenarisë, Pelikani Kaçurrel që është një potencial i rëndësishëm për zhvillimin e ekoturizmit e që e bën këtë park unik, do t’i përkasë së shkuarës, nëse realizohet .”
Projektligji i ri Për Zonat e Mbrojtura mesa duket kaloi me procedurë të përshpejtuar në Kuvend, përmes Urdhërit Nr. 40.
Kështu, ligji i ri është më i dobët dhe nuk e mbron Parkun. Përkundrazi, lehtëson dhënien e tij për çdo projekt turistik. Kështu po shkatërrohet edhe një pasuri e rrallë kombëtare para syve tanë! Ju ftoj të gjithëve të reagoni në rrjetet sociale për transparencë të plotë të projektit jo vetëm në Divjakë dhe impakti në mjedis. Ftoj gazetarët dhe mediat ta bëjnë çështje të madhe! (Shekulli)