Objekti i shkollës për të verbër në Pejë nuk duhet të rrënohet.
Kjo është kërkesa që u bë, të hënën, nga disa organizata të shoqërisë civile në këtë qytet, nëpërmes një kumtese të përbashkët.
Ato reaguan pas lajmit se shkolla në fjalë duhet të rrënohet për t’i lënë vend ndërtesës së re të Gjykatës Themelore në Pejë.
“Ne kemi kërkuar nga palët inicuese, Ministria e Mirëqenies Sociale, Ministria e Drejtësisë dhe Ministria e Administratës Publike, bashkë me Komunën e Pejës të heqin dorë nga kjo ide dhe të kërkojnë një tjetër destinacion për objektin në fjalë, pa qenë nevoja të shkatërrojnë diçka që ka vlerë për Pejën, për të ndërtuar diçka tjetër”, thuhet në kumtesë.
Grupi iniciues kundër rrënimit të shkollës për të verbër në Pejë përbëhet nga OJQ Syri i Vizionit, Shoqata e të Verbërve të Kosovës dhe vetë Qendra Burimore për Mësim dhe Këshillim “Xheladin Deda”.