Presidenti Hashim Thaçi edhe një herë ka përmendur ndryshimin e Kushtetutës për të siguruar nga një ulëse në Kuvendin e Kosovës edhe për komunitetin kroat e malazez.
Së fundin në një intervistë për mediet e huaj ai ka garantuar se me ndryshimet kushtetuese do të ndodhin shumë shpejtë pas formimit të qeverisë së re.
“Kuvendi i ri që do të formohet do të trajtojë edhe këtë çështje. Kjo do të ndodh së shpejti”, ka deklaruar Thaçi.
Por për Muhamet Kelmendin, njohës i Kushtetutës, kjo është e papranueshme.
Ai në një intervistë për Ekonomia Online, ka thënë se edhe për komunitet tjera që u njihet kjo e drejtë tu hiqet, me arsyetimin se çdo kush që do të jetë pjesë e Kuvendit duhet të luftojë për votën e vet.
“Jam kundër asaj që të shkohet dhe të kemi një vend të rezervuar për malazezë po t’i hiqen vendet e rezervuara çdo minoriteti që gjendet në Kosovë dhe të vjen mekanizmi i votës që është pjesa më e rëndësishme e demokracisë në mënyrë që çdo kush të luftojë për votën e vet. Çdo qytetarë ose kandidat që donë me qenë anëtar i Kuvendit të Kosovës deputet të luftojë që tek populli, tek qytetarët të merr votën, por jo edhe me ndej qetë dhe pastaj me iu dhënë kompetenca shtesë të cilën ne e kemi dëgjuar duke thënë se kemi të bëjmë me diskriminim pozitiv, nuk ka diskriminim pozitiv e negativ të gjitha janë diskriminime negative”, ka thënë ai.
Madje sipas tij, vendet e rezervuara shkatërrojnë funksionimin e organeve shtetërore dhe e bëjnë parlamentin jo funksional, raporton Ekonomia Online.
Për Kelmendin vendet e rezervuara janë “arma” me e keqe kundër demokracisë së brendshme të një shteti.
“Unë nuk jam që më të kemi vende të rezervuara sepse vendet e rezervuara janë arma më e keqe kundër demokracisë së brendshme të një shteti, vendet e rezervuara e shkatërrojnë funksionimin e organeve shtetërore e bëjnë parlamentin jo funksional këtë e kemi parë ne në shumë çështje ku kërkohet 2/3 e të gjithë deputetëve dhe 2/3 e minoriteteve. Llogariteni ju tani dikund rreth 100 deputetë votojnë për një çështje dhe meqenëse komunitetit serb janë pesë deputetë të cilët nuk veprojnë, nuk votojnë këtë krejtësisht çështja do të thotë 99 për qind të popullit që i ka përfaqësuesit e vet në Kuvend nuk i ec fjala dhe ju ec numri të cilin e kanë të rezervuar dhe nuk dihet kënd e përfaqësojnë në Kuvend dhe nuk mund të ec përpara”, ka thënë ai.
Kelmendi ka thënë se është për ndryshime kushtetuese, por jo siç ka kërkuar presidenti.
“Unë jam për ndryshime kushtetuese në Kosovë sepse që të bëhet shteti ynë funksional, që të funksionojë Kuvendi i Kosovës, që organet shtetërore të funksionojnë që organi legjislativ të jetë kompetent dhe funksional në zgjidhjen e problemit që ka vendi duhet të bëhen ndryshime kushtetuese, që të funksionojë gjyqësori duhet të bëhen ndryshime kushtetuese, që të funksionojë ekzekutivi duhet të bëhen ndryshime kushtetues duhet të sqarohen çështjet të cilat janë kompetencë të njërit pushtet, pushtetit tjetër apo pushtetit të tretë por jo në kuptimin që ka theksuar presidenti për mendimin tim është gabim i rrallë të cilin e bënë presidenti në fushën e tillë”, ka thënë ai.