Tiranë, 18 qershor – Autoritetet shqiptare kanë lansuar fushatën e radhës për nxitjen e leximit. Kësaj radhe, në fokus janë filloristët. Nisma më e re e ndërmarrë nga ministrja e Kulturës e Shqipërisë, Elva Margariti, “Mos harro librin e pushimeve” po angazhon brezin e ri në leximin e librave, si dhe po e bën këtë brez më solidar, kanë raportuar të hënën mediat shqiptare. Në Bibliotekën Kombëtare gjatë fundjavës fëmijët kanë dhuruar libra për shkollën e Kasallës, një fshat jo fort larg Tiranës, që dhe këta fëmijë të kenë mundësi të lexojnë personazhet e tyre të dashur gjatë pushimeve verore.
“Kënaqësi të shohësh fëmijët të kalojnë kohën e lirë duke lexuar, por edhe më e madhe kur i sheh tek bëhen solidarë me bashkëmoshatarët e tyre, që kanë më pak mundësi se ata. Në Bibliotekën Kombëtare, me fëmijët që dhuruan libra për shkollën e Kasallës dhe për të ndarë nismën: ‘Mos harro librin e pushimeve”, citohet të ketë thëne ministrja e Kulturës, Elva Margariti. Sipas saj, edhe jashtë kryeqytetit shqiptar ka lexues të apasionuar, të cilët do të bëhen lexues të përhershëm në të ardhmen. Prandaj, sipas saj, edhe kjo nismë do të bëjë të mundur pasurimin me tituj të rinj për fëmijët jashtë kryeqytetit, ku të rinjtë të kalojnë kohën e lirë në mënyrë produktive edhe gjatë pushimeve verore, shkruan sot Koha Ditore.
Nisma të shumta për nxitjen e leximit kanë ndërmarrë institucionet e Shqipërisë vetëm gjatë këtij viti. Në fillim të 2019-s nisi aktivitetin, ajo që Ministria e Kulturës e Shqipërisë e quajti, “Lëvizja Kombëtare për Lexim”. Po atë kohë u zyrtarizua Qendra Kombëtare e Librit dhe e Leximit, e themeluar prej Qeverisë së Shqipërisë. Qëllimi i këtij institucioni është përmbushja e detyrave zhvillimore dhe shërbimeve të drejtpërdrejta në fushën e librit, brenda dhe jashtë territorit të Republikës së Shqipërisë. “Misioni i qendrës synon përhapjen e kulturës së leximit në të gjithë vendin, nxitjen e krijimtarisë, forcimin e rolit promovues dhe edukativ të bibliotekave dhe mbështetjen e projekteve për promovimin e letrave shqipe në tregun evropian dhe atë botëror”, shkruhet në prezantimin e këtij institucioni qeveritar. Nisma të tilla në Shqipëri kanë nisur të fuqizohen duke parë se përditë e më shumë numri i lexuesve është më i pakët. Instituti i Statistikave në Shqipëri ka dhënë shifra alarmante sa i përket leximit. Sipas INSTAT-it, 1 milion banorë nuk kanë lexuar asnjë libër gjatë një viti kalendarik. Por me gjithë këto nisma, është një vendim i fundvitit të kaluar që godet librin. Bëhet fjalë për tatimin prej 6 për qind ndaj librit të miratuar në dhjetor të vitit të 2018-s.. Ka vite që botuesit në Shqipëri, ashtu sikurse edhe në Kosovë, kërkojnë heqjen TVSh-së.
“Kemi ngritur një grup pune, edhe faktikisht jemi duke filluar disa biseda të tjera me Ministrinë e Ekonomisë, e edhe të Financës, sepse përtej dëshirës dhe mundësive tona kalon në disa hallka burokratike. Është një vendimmarrje që është marrë shumë kohë para se unë të nisja këtë detyrë, prandaj edhe unë kam vështirësitë e mia për t’u rifutur në një proces të mbyllur. Megjithatë, mendoj se ka ende mundësi për rishikime”, kishte thëne ministrja Margariti, më 22 prill, një ditë para se të shënohej Dita Botërore e Librit.