Të shkruash një CV është shpesh një detyrë e vështirë, sepse ju keni vetëm disa faqe në dispozicion për të shkruar çdo eksperiencë tuajën. Disa shprehje apo disa elementë nuk duhen përfshirë në CV-në tuaj, kështu ju lini më shumë hapësirë për të përshkruar aftësitë dhe eksperiencat më të fundit.
Gjuha e përdorur/Zhargoni
Ka shumë fjalë të cilat mund të jenë të përdorshme për një kohë të gjatë, por me kalimin e viteve mund ta kenë humbur kuptimin e tyre. Ju duhet të kontrolloni vazhdimisht CV-në tuaj nëse mund të ketë fjalë të tilla që mund të kenë qenë të përdorshme në zyra, por ndoshta tani konsiderohen të vjetra.
Një shembull i tillë është fjala “sinergjik”. Kjo fjalë ka qenë shumë e përdorur, por tani ajo konsiderohet si një fjalë e vjetër. Ajo mund të zëvendësohet me “i aftë për bashkëpunim dhe komunikim në grup”.
Microsoft Office
Kur kompjuterët u futën fillimisht në zyra dhe ambiente pune, të kishe eksperiencë me paketën Microsoft Office ishte një aftësi që duhej vënë në dukje. Në ditët e sotme, të gjithë e konsiderojnë njohjen e kësaj pakete si një aftësi, kështu që për të bërë diferencë, ju duhet të listoni aftësi më të zhvilluara që lidhen me eksperiencat tuaja me Microsoft Office.
Gjuhët e vjetra të programimit
Shumë gjuhë programimi konsiderohen “jashtë mode” dhe të tjera si gjuhë të reja. Juve ju duhet të përshtatni CV-në tuaj me këto tendenca. Kështu, mund t’i shmangni gjuhët si: Fortran, Cobol apo Pascal në CV-në tuaj, përveç rasteve kur pozicioni i punës kërkon aftësi në këto gjuhë.
Dizenjues Web-i
Me zhvillimin e Internetit, edhe faqet Web janë bërë më komplekse, kështu edhe aftësitë dhe kualifikimet që kërkohen për pozicionie të tilla pune duhet të jenë më të zhvilluara. Në ditët e sotme, dizenjues Web-i nuk mjafton si element në CV-në tuaj, kategoritë më specifike janë: Dizenjues për Ndërfaqen, Dizenjues Front-End, apo edhe fokusim më shumë në dizenjimin mobile si Dizenjues i Ndërfaqes Mobile, zhvillues apo inxhinier për ndërfaqen e përdoruesit etj.
Aftësitë kryesore kompjuterike
Nëse aplikoni në një punë që ka lidhje me teknologjinë, është e kuptueshme që duhet të keni disa aftësi bazike kompjuterike. Kështu që nëse aplikoni në vende pune si IT, inxhinieri apo zhvillim Web-i, mos i përfshini si element në CV aftësitë bazike kompjuterike, lini vend për aftësi dhe kualifikime të tjera më të rëndësishme.
Llogari të vjetra të e-mail-it
Llogaritë e vjetra të e-mail-eve mund t’ju prezantojnë në sytë e punëdhënësve si pak të prapambetur me të rejat e fundit në teknologji. Nga ana tjetër, nuk është e lehtë që të ndryshoni informacionin e kontaktit në çdo llogari që ju keni. Një zgjidhje e mundshme është krijimi i një email-i të cilin do e përdorni vetëm për aplikimet në punë. Kështu ju keni një llogari personale dhe një llogari të veçantë me të cilën kërkoni punë dhe komunikoni me punëdhënësit.
Teknologjia Cloud Computing
Cloud Computing vazhdon të jetë një term modern në teknologji, por nëse thoni që jeni të aftë në Cloud Computing konsiderohet e njëjtë si të thoni se dini të kodoni dhe kjo nuk mjafton. Në CV duhet të shkruani emra specifikë të teknologjive Cloud ku ju keni aftësi të zhvilluara.
Eksperienca të vjetra
Nëse ju keni zhvilluar një intership kur keni qenë student në universitet, kjo është një gjë e mirë, por nëse jeni duke aplikuar për një pozicion pune 10 vjet pas diplomimit tuaj, më mirë mos e përfshini në CV këtë eksperiencë. Intervistuesit apo punëdhënësit i interesojnë më shumë eksperiencat apo projektet e fundit që keni realizuar. Sigurisht që kjo këshillë nuk vlen kur ju jeni i sapodiplomuar, pasi në një CV pa eksperienca, përfshirja e një intershipi do t’ju ndihmonte shumë në kërkimin e një pune.