Mos u plaksh!

Prishtinë | 06 Qer 2018 | 12:31 | Nga

Të moshuarit në Kosovë janë kategoria më e prekur nga ndryshimet shoqërore, ekonomike dhe politike që nga paslufta.

Ndryshimet kulturore si dhe ato të sistemit pensional kanë ndikuar që më të moshuarit e familjes të mbesin pa përkujdesje dhe pa mirëqenie.

Në një vend të varfër si Kosova, ku numri i të papunëve është jashtëzakonisht i lartë, që e konfirmojnë edhe të dhënat e institucioneve përgjegjëse, të moshuarit vazhdojnë të mbesin pjesa më e varfër e shoqërisë.

Të braktisur prej institucioneve shtetërore dhe të përballur me ndryshimet kulturore të familjes si institucion shoqëror, ata ndihen të vetmuar dhe të padobishëm për shoqërinë në tërësi.

Shumë pak prej tyre merren me ndonjë aktivitet social. Përgjithësisht pak aktivitete zhvillohen në qendrat e mëdha, por pjesa rurale e të moshuarve është e papërfshirë në jetën shoqërore, raporton “Preportr”.

Anketat e realizuara me të moshuarit tregojnë se fare pak prej tyre shkojnë në teatër, kinema apo koncerte. Aktivitetet e tyre janë të rëndomta – shikojnë televizor dhe hobi e kanë t’i vizitojnë të afërmit.

Fokusi i institucioneve nuk ka qenë rregullimi dhe ndërtimi i infrastrukturës për të moshuarit – si ndërtimi i shtëpive të të moshuarve, i objekteve për qëndrim ditor, etj, por ato janë përqendruar në krijimin e infrastrukturës ligjore e cila ende është në proces e sipër.

Pensionistët në Kosovë marrin pensione të vogla, pak shërbime pa pagesë, por përveç kësaj gjithçka është si para viteve të ‘90-a.

Edhe në këtë gjendje, kushte pak më të mira ka për pensionistët sesa për pensionistet. Gratë nuk kanë qenë aktive në jetën publike – pak prej tyre kanë punuar – dhe si rrjedhojë një numër i vogël i tyre i gëzojnë pensionet kontributpaguese por shumica janë ato që marrin pensionin e moshës.

Ndryshimet kulturore kanë ndikuar në familje

“Familja nuk është më siç ka qenë. Brenda kësaj familjeje e cila po ndryshon, ka ndryshuar edhe gjendja e neve të moshuarve, jo pse të rinjtë nuk duan të kujdesen për ne, por ata i kanë punët e tyre për të siguruar ekzistencën për veten dhe familjen”. Kështu shprehet Shaban Kajtazi, kryetar i Lidhjes së Pensionistëve të Kosovës.

Është ky fillimi i rrëfimit të një të moshuari i cili i përfaqëson të tjerë të moshës së tij në lidhje me atë se si është të jetosh në Kosovë kur nuk i ke mundësitë që vet të kujdesesh për veten. Ekipi i Preportr ka gjetur se kategoria e të moshuarve është e diskriminuar, e papërfshirë, dhe institucionet nuk kane ndonjë strategji se s’i t’u qasen atyre në aspektin afatgjatë.

Kajtazi e vazhdon rrëfimin se dëshira e të rinjve për t’u kujdesur për prindërit nuk mungon, por dëshira nuk mund të realizohet po që se nuk ekzistojnë kushtet. Shumë të rinj, sipas tij, kanë shkuar të jetojnë jashtë shtetit duke i lënë në Kosovë prindërit e tyre që jetojnë të vetmuar. Disa prej këtyre të rinjve, duke përqafuar edhe kulturën e vendeve ku jetojnë, kanë filluar të interesohen që në Kosovë prindërit e tyre që kanë nevojë për ndihmë t’i dërgojnë në shtëpi të të moshuarve. Kosova nuk ofron kushte të mira për këtë kategori dhe gjasat për ndryshime të shpejta në këtë drejtim janë shumë të vogla.

Image
Kosovarët menjëherë pas luftës u përballën me ndryshim të madh shoqëror, pjesërisht duke i imituar shtetet perëndimore. Zhvillimi i hovshëm teknologjik dhe kontaktet më të shpeshta me botën perëndimore bënë që shumica e qytetarëve t’i ndryshojnë mendimet dhe veprimet e tyre në relacion me familjen. Brenda kësaj familjeje e cila ka filluar të ndryshojë, është mosha e tretë ajo që po përballet me mungesë kujdesi.

“Familja po atomizohet”, thotë Hasan Berisha, sekretar i Lidhjes së Pensionistëve të Kosovës. “Është e qartë se kushtet po ndryshojnë”, thotë ky 74-vjeçar që jetën e ka kaluar duke punuar në pozita të rëndësishme brenda sistemit bankar të Kosovës.

Gjatë këtij ndryshimi, institucionet e Kosovës me buxhetin e vet të vogël nuk arritën ta kapin hapin. Ato kanë mbetur shumë mbrapa në shumë çështje për sa u përket pensionistëve.

Punëtorja sociale Valbona Bajrami thotë se pensionistët janë kategoria më e margjinalizuar në Kosovë, duke filluar nga trajtimi familjar e deri te jeta publike dhe shërbimet institucionale.

“Duke filluar që nga normat kulturore, që ndikojnë edhe në mentalitet të politikëbërjes, mosha e tretë në Kosovë mbetet në përgjegjësi të mikrosistemit në shumicën e rasteve, dhe ndoshta me një përqindje shumë të ulët në raste kur mungojnë familjarët e ngushtë, mund të mbeten përgjegjësi e mesosistemit, ku hyn shoqëria ose trungu më i largët i familjes. Makrosistemi, apo përgjegjësia institucionale për moshën e tretë, ofron trajtim minimal mbijetese, siç janë pensionet me shuma të ulëta dhe shërbimet vetëm për raste emergjente”, thotë ajo.

Në vendet e zhvilluara, sipas saj, kujdesi ndaj pensionistëve nuk është aq përgjegjësi e familjes sa është përgjegjësi e makrosistemit – pra e institucioneve që ofrojnë programe të larmishme, pastaj sistemet e tjera me radhë që ndikojnë në kualitetin e jetës së tyre.

“Interesat edhe të individëve dhe të rinisë kanë ndryshuar – secili martohet dhe e merr një banesë, ai nuk ka mundësi të kujdeset për prindërit edhe pse i dhemb shpirti, mundësitë nuk i ka, kështu që ato mundësitë që kanë qenë familjare ato janë në proces në rënie e sipër, kështu që kujdesi për të moshuarit po zvogëlohet. Ne kemi raste kur pleqtë janë gjetur të vdekur në banesa pas dhjetë ditësh”, thotë Kajtazi.

Bashkëbiseduesit e Preportr-it kanë thënë se ka shumë alternativa se si shteti mund t’u qaset të moshuarve. Njëra prej mundësive më të mira është ndërtimi i shtëpive të të moshuarve. Nëse shteti nuk ka mjete për ndërtimin e tyre atëherë, sipas Kajtazit, ka pensionistë të cilët nuk kanë fëmijë por kanë patundshmëri të cilat mund t’i deponojnë në shtet, pastaj shteti ata i merr nën përkujdesje.

“Në shtetet perëndimore, në Gjermani për shembull, pronën e deponon pensionisti, ose i ka paratë në bankë të cilat ia jep shtetit, domethënë ka shumë mundësi por të cilat nuk po shfrytëzohen. Familja nuk është më ashtu siç ka qenë. Unë vet i kam katër vajza, dy prej tyre janë jashtë, djali është jashtë, i kanë fëmijët, obligimet e veta, ajo dëshiron por mundësitë nuk i ka për me ndihmu. Kështu që, po i bjen se kujdesi familjar nuk është më ai që ka qenë”, ka thënë Kajtazi.

Solidariteti familjar që ekziston te ne, sipas Florina Dulit nga Iniciativa Kosovare për Stabilitet, është pak i imponuar.

“Ti ke edhe shtresa të pasuna të shoqënisë të cilat po ta kishin pasur një shtëpi më të mirë të pleqve të stilit, qysh i kanë në Amerikë, ishin tundu me i dërgu prindërit sepse kanë përkujdesje ma profesionale se sa në shtëpi të tyne ose, për shembull, rastin e pleqve që kanë alzheimer ose raste të tjera”, thotë Duli.

Një anketë që e ka bërë organizata ku punon Duli ka gjetur se 75% e pensionistëve të anketuar kanë thënë se për ta përkujdeset familja.

Pensionistet më pak aktive në jetën sociale

Pensionistet janë më pak aktive në jetën publike. Në Lidhjen e Pensionistëve të Kosovës ka më pak gra. Aty e kanë një kthinë e cila është rregulluar me para të donatorëve dhe gratë shoqërohen në mes tyre. Përpara, ato kanë punuar punë dore por pasi që tani pakkush po interesohet për punën e tyre – pak i blejnë punimet e tyre – ato kanë vendosur mos të punojnë më.

Image
“Ne takohemi këtu, bisedojmë, shoqërohemi”, thotë Mybera Kasumi, kryetare e Aktivit të Gruas Pensioniste.

“Përpara punojshin punë dore, po tani nuk po munden, pasi edhe nuk po vlerësohet shumë puna e dorës. Tani rrinë, bëjnë muhabet, flasin, bëjmë ekskursione, të cilat i paguajnë vetë, po mundohem me çmim shumë më të ulët. Kalojmë mirë, trokas gjithkund për to”, thotë ajo.

Kasumi e pranon se më vështirë është për gratë sesa për burrat, pasi ata janë më shumë aktivë, dalin më shumë, derisa gratë nuk kanë shumë alternativa. Ajo thotë se në Prishtinë gjendja është pak më e mirë se në komunat e tjera.

Gjendja edhe me e keqe është në zonat rurale, ku gratë në fshatra janë thuajse të papërfshira në jetën shoqërore.

“Shoqata u ndihmon shumë grave po kjo është vetëm në Prishtinë, po Prishtina është tjetër, në komunat e tjera nuk ka këso organizime”, thotë ajo.

Bukurie Selimi punon në Lidhjen e Pensionistëve të Kosovës, dhe thotë se sikur të mos ishin këto organizimet private, gratë pensioniste nuk do të mund t’i përballonin shpenzimet e banjave, të detit si dhe organizimet e tjera.

“Me pension nuk mund të shkosh, por me këto organizimet po shkojmë shpesh. Veç me pension nuk mund t’ia dalësh kurrë po fëmijët ende i kryejnë shumicën e obligimeve ndaj prindërve, ka ende solidaritet”, thotë ajo.

Sadie Smakiqi, 74-vjeçare, tregon se problemet e kësaj moshe janë të mëdha. Ajo thotë se është përballur me sëmundjen e kancerit dhe kushtet në shtëpi nuk i kanë të mira, pasi kanë pak të ardhura. Ajo thotë se po të mos ishte Lidhja e Pensionistëve, ku e kalojnë kohën nganjëherë, nuk e di çfarë do të bënte.

“Më pëlqen të vij këtu sepse bisedojmë, dalim ndonjëherë”, thotë ajo.

Edhe Igballe Hyseni, e cila jeton e vetme pasi fëmijët e saj jetojnë jashtë, thotë se kohën e kalon me gratë e tjera dhe se i pëlqen të bisedojë me to.

Kur është fjala te pensionet, vetëm 13 për qind e grave marrin pensione kotributpaguese kundrejt 87 për qind të burrave. Te pensionet bazike të moshës gjendja qëndron ndryshe: 66 për qind e grave marrin pension bazë, derisa përqindja e burrave është 34.

“Kjo tregon realitetin që ka qenë dhe që po vazhdon me qenë. Më shumë ka qenë gruaja e pashkollume, më pak e punsume dhe ne të gjithë e dijmë si ka qenë përpara, krenari e kanë pasur nënat tona me na tregu se qysh kanë punu qe 12 vjet për t’i shkolluar vëllezërit”, thotë Florina Duli, duke i komentuar statistikat.

Kjo, sipas saj, e ka përcjellë fatin e tyre pasi nuk kanë mundur të shkollohen, s’kanë mundur të punojnë dhe varfëria vazhdon edhe sot e kësaj dite kur i marrin 75 euro në pleqëri.

“Definitivisht ma së vështiri është për gratë. Janë dy aspekte për gratë pensioniste, në njërën anë ato janë më të dobishme se burrat, kështu që janë edhe aset për familjen për shkak që punojnë deri në moshë të shtyrë shëndeti i tyre degradon shumë më shumë se sa te burrat. Shëndeti i gruas mbi moshën 65 vjeç është shumë herë më i keq se sa i burrave dhe kjo ka dalë edhe në studimet që i kemi bërë ne dhe sipas literaturës që e kemi lexuar”, thotë ajo.

“Dallimi pensional qëndron edhe në vende të zhvilluara si rezultat i fenomenit “tavani i qelqtë”, ku për shembull në SHBA, për të njëjtën punë burrat paguhen $1 ndërsa gratë 77c si kalkulator i statistikave. Kjo ka ndikuar që akumulimet e taksave që zbrazen në buxhet të trustit pensional të kenë dallime gjinore në shumën pensionale”, thotë punëtorja sociale Valbona Bajrami.

Gratë pensioniste që janë përkujdesur për familjen, sipas saj, nuk paguhen barabartë me burrat që kanë ushtruar një profesion në sektorin publik, e kjo ndikon në varësinë e grave ndaj burrave.

“Madje me aq sa jam në dijeni, edhe për shtëpi azili gratë mbesin në mëshirë fati kur burrat e tyre mbushin moshën 65-vjeçare, dhe janë të detyruar të ndahen në pleqëri sepse ligji nuk e ka trajtuar fenomenin tradicional që në martesë gratë janë më të reja në moshë. Një numër i konsiderueshëm pensionistësh janë ankuar për këtë fenomen, por nuk jam në dijeni nëse është bërë diçka në këtë drejtim”, thotë ajo.

Image
Prona e përbashkët, sipas Bajramit, mbetet ndër pikat më të rëndësishme ku gratë pensioniste janë të diskriminuara dhe bien pre e abuzimeve për shkak se nuk kanë pasur të drejtë pronësie deri para pak vitesh.

Pensionet e vogla

Pas luftës Kosova u përballë me mungesë të fondeve për t’i mbështetur pensionistët. Për shumë vjet pensionet në Kosovë kanë qenë minimale dhe rritja e tyre në të shumtën e rasteve është bërë në kohë fushatash. Pra, kjo rritje nuk është bërë duke u bazuar në një plan, e as në rritjen ekonomike por sikurse te kategoritë e tjera të punësuara në sektorin publik, edhe pensionet rriteshin në kohë fushatash.

As në aspektin legjislativ deri vonë nuk është bërë shumë. Në vitin 2014 u miratua Ligj për Skemat Pensionale që i ka rregulluar disa çështje.

Shuma e pensionit kontributpagues nga muaji janar 2016 ka pësuar ndryshime ku pensionet paguhen sipas kategorizimeve në bazë të nivelit të shkollimit. Pensionistët kontributpagues, sipas kësaj, ndahen në katër kategori dhe pensionet sillen prej 158 eurosh për kategorinë e parë për pensionistët e pa shkollim formal ose me shkollim fillor, Kategoria e dytë – pensionistët me arsim të mesëm – shuma e pensionit është 172 euro; Kategoria e tretë –pensionistët me arsim të lartë – shuma e pensionit është 186 euro; Kategoria e katërt – pensionistët me arsim universitar – shuma e pensionit është 230 euro.

Këtu përfshihen vetëm pensionet e pensionistëve kontributpagues, numri i të cilëve sillet mbi 43 mijë vetë. Numri më i madh i pensioneve shkon për pensionistët e moshës, të cilët për muaj paguhen 75 euro.

Duke llogaritur që pensionet në Kosovë janë të vogla në krahasim me nevojat e të moshuarve, i gjithë koncentrimi i pensionistëve është fokusuar në to. Në Lidhjen e Pensionistëve të Kosovës e pranojnë këtë edhe pse thonë në shumë raste, në takime me zyrtarët shtetërorë, kanë ngritur edhe çështje të tjera që i preokupojnë.

“Është cënim i dinjitetit, pasi ne kemi punuar 40 vjet dhe kjo nuk po na shpërblehet. Duhet ta keni parasysh që ne jemi gjeneratë e cila e ka zhdukur analfabetizmin”, thotë Hasan Berisha.

Ai tregon se si kolegët e tyre në rajon paguhen shumë më shumë.

“Kolegu në Serbi merr pension shumë të lartë, ata me thirrje shkencore, ata që kanë punuar 40 vjet. Në ish-Jugosllavi ne kemi qenë në një kategori me Maqedoninë, Bosnjën, e Serbia ka qenë gjithmonë më lart”, thotë ai.

Pensionistët nuk pajtohen me mënyrën aktuale të pagesës së pensioneve nga buxheti dhe me mbledhjen e kontributeve, siç bëhet tani në Fondin për Kursime Pensionale. Berisha habitet se si shteti ynë vepron me mjetet që mblidhen në këtë fond, të cilat i qet jashtë shtetit. Kjo, sipas tij, nuk ka asnjë kuptim pasi qeveritarët po i thërrasin të huajt të investojnë në Kosovë, pasi Kosova është vend i sigurt e paratë e veta në këtë rast të fondit i qet jashtë shtetit.

Pensionistët ndihen të fyer edhe kur bëjnë krahasime me rrogat që i marrin njerëzit e pushtetit. Berisha thotë se një deputet e ka pagën sa tetë pensione kurse tregon se si, gjatë anketave që i kanë bërë në të kaluarën, ka dalë që në shumë raste pensioni i një pensionisti është e ardhura e vetme e familjes. Sipas tij, as atë pension sado të vogël pensionistët nuk e gëzojnë vetëm për vete.

Edhe i pari i pensionistëve, Shaban Kajtazi, konsideron se është shumë rrezik të jepen mjete për pensionet vetëm nga buxheti.

“Kemi kërkuar nga Qeveria që të kthehet në zbatim parimi intergjenerativ që nënkupton që të rinjtë të ndajnë një pjesë për të moshuarit sepse edhe të rinjtë do të moshohen dhe dikush duhet të mendojë edhe për ta. Këta në Qeveri po na thonë se kështu do të ngarkohet ekonomia”, thotë ai.

Anketa e Iniciativës Kosovare për Stabilitet nxjerr se 64 për qind e të anketuarve kanë thënë se pensioni nuk ua garanton mirëqenien sociale. Për të mbuluar nevojat e tyre bazike pensionet sipas 47 për qind të të anketuarve do të duhej të ishin 201- 300 euro e sipas 38.3 për qind prej tyre ato do të duhej të ishin ndërmjet 301-500 euro.

Pensionistët që i takuam në Lidhjen e Pensionistëve të Kosovës punën e pensionit e kanë marrë me shaka. Njëri thotë se pensionet i kanë aq të mëdha sa nuk po dinë çfarë të bëjnë me to. Një tjetër thotë se e ka lutur pensionistin tjetër mos t’ia më paguajë çajin pasi po e fut në borxh që radhën tjetër të paguajë ai – e ai nuk ka se si ta bëjë këtë pasi nuk ka shumë para.

Kur flitet për pensionet, Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale paguan 250 milionë euro në vit. Këtu hyjnë 10 lloj të pensioneve. Nga shuma prej 250 milionë eurove, 195 milionë euro shkojnë për pensione të moshës dhe ato kontributpaguese. Në Kosovë janë rreth 125 mijë pensionistë të moshës dhe rreth 43 mijë kontributpagues.

Të moshuarit me mungesë qasjeje në shërbime shëndetësore

Problemi më i madh për të moshuarit mbetet qasja në shëndetësi. Duke marrë parasysh se shumica prej tyre kanë probleme të mëdha shëndetësore, shërbimet që u ofrohen në shumicën e rasteve duhet të paguhen. Pensionistët tregojnë se me çka përballen kur u duhet nevoja e mjekut. Ata thonë se megjithëse shërbimet shëndetësore në institucionet publike për pensionistët janë falas, barnat pothuajse në të gjitha rastet u duhet t’i paguajnë vet.

“Shërbimin shëndetësor falas e gëzojnë të gjithë ata që i kanë 65 vjet. Por kjo falas është pak relative pasi nëse shkon në institucionet publike shëndetësore në shumicën e rasteve mungojnë barnat e ato kushtojnë shumë”, thotë Berisha.

Problemi më i madh për pensionistët, sipas Dulit, është qasja e tyre në shëndetësi pasi janë në moshën kur më së shumti kanë nevojë për trajtim shëndetësor.

91% e të anketuarve nga Iniciativa Kosovare për Stabilitet kanë thënë se blejnë barna që gjenden edhe në listën esenciale, ndërsa 90% e tyre kanë thënë se familja u mbulon shpenzimet e barnave.

Për pensionistët është e pamundur t’i marrin shërbimet shëndetësore në institucionet shëndetësore private. 99% e tyre kanë deklaruar se nuk kanë shërbim shëndetësor privat.

Asnjë objekt për pensionistët nuk u ndërtua pas luftës

Infrastruktura për pensionistët në Kosovë është e sistemit të kaluar. Përveç një shtëpie të të moshuarve në Graçanicë nuk është ndërtuar asnjë e re në komunat e Kosovës.

Në vendin tonë janë katër shtëpi të të moshuarve, tri prej të cilave janë me kapacitet të vogël dhe nëse kërkesat do të ishin më të mëdha se aktualisht, do të ishte e përballueshme që aty të akomodohen më shumë të moshuar.

Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale nuk ka buxhet për ndërtimin e objekteve të reja, si shtëpi të të moshuarve, ndërsa në shtëpitë aktuale, sidomos në atë të Prishtinës, investimet që janë bërë në objekt janë më shumë private.

Në Lidhjen e Pensionistëve të Kosovës thonë se kërkesat e tyre në vazhdimësi janë që të ndërtohen objekte të reja për të moshuarit por kërkesat e tyre në këtë drejtim nuk janë marrë shumë në konsideratë. Nëse Qeveria nuk ka mjete për ndërtimin e më shumë shtëpive të pleqve. këtë, sipas tyre, do të duhej ta bënte së paku në të gjitha komunat e Kosovës.

“Ne kur flasim në Qeveri për këto çështje të gjithë na thonë po, mirë e keni, por nuk veprojnë shumë”, thotë Kajtazi.

Në Kosovë ka pak objekte ku pensionistët do të mund të zhvillonin aktivitete ditore. Në Prishtinë është Lidhja e Pensionistëve të Kosovës, objekt ky i cili i plotëson kushtet për disa aktivitete. Aty mund të lexohet gazeta, të luhet shah, të pihet kafe e çaj kurse gratë e kanë pjesën e tyre në të cilën një kohë kanë punuar punë dore, por jo më.

Para disa javësh, Komuna e Prishtinës ka përshtatur një objekt për aktivitete për pensionistët, i cili mund ta zbusë pak gjendjen.

“Mundësitë buxhetore nuk na lejojnë të bëjmë më shumë. Ne e kemi një problem: ne jemi të koncentruar te infrastruktura ligjore dhe më pak te krijimi i kushteve për pensionistë, kjo po na imponohet”, thotë Bahri Xhaferi, drejtor i Departamentit të Pensioneve në Ministrinë e Punës dhe Mirëqenies Sociale.

Shtëpia e të moshuarve, sipas tij, nuk është keq. Aty ka përkujdesje të madhe nga stafi. Sipas zyrtarit të MPMS-së, nëse hapen shtëpi të tilla edhe në qendrat tjera kjo do të ishte ideale.

Raze Aliçkaj, drejtoreshë e kësaj shtëpie thotë se kushtet në të nuk janë të këqija. Ajo thotë se shtëpia ka kapacitet për numër më të madh të të moshuarve se sa i ka aktualisht. Aliçkaj e pranon që kohëve të fundit është rritur kërkesa e qytetarëve të cilët kërkojnë që prindërit e tyre t’i dërgojnë në këto shtëpi, pasi kujdesi ndaj tyre është më adekuat.

Shtëpia e të moshuarve në Prishtinë është renovuar me para të donatorëve dhe aty ofrohen shërbime 24 orë për të moshuarit.

Image
Përveç shtëpive të të moshuarve, Lidhja e Pensionistëve e ka edhe një kërkesë për institucionet e Kosovës. Ata kërkojnë të themelohet një subjekt që përkujdeset për pleqtë e vetmuar.

“Në çdo komunë të jetë ai organ që shkon një herë në javë dhe shikon a është pensionisti gjallë, a ka ushqim dhe nevoja të tjera, etj, pasi nuk ka mundësi tjetër, sepse zgjidhja më e mirë do të ishte ndërtimi i shtëpive të të moshuarve”, thotë Kajtazi.

Institucionet nuk kanë plan strategjik për përmirësimin e gjendjes

Qeveria e Kosovës nuk ka zhvilluar politika dhe strategji se si t’i qaset çështjes së pensionistëve në të ardhmen. Trajtimi i pensionisteve nga ana e shtetit nuk do të duhej të mbetej vetëm në nivel pensionesh.

Kështu kanë deklaruar edhe disa pensionistë që janë anketuar nga IKS ku 69% e tyre kanë thënë se institucionet nuk janë aspak aktive në kujdesin për të moshuarit si dhe 77% mendojnë se shteti e ka përgjegjësinë për të siguruar mbrojtje adekuate për të moshuarit.

Në vendet e zhvilluara, ku përbërja e popullsisë është më e vjetër, problemet me pensionistë janë më të mëdha për shkak të numrit të tyre të madh.

Në Kosovë, kjo tashmë ka filluar të shfaqet. Në një raport të Institutit Riinvest të vitit 2001 thuhet se gjatë viteve të fundit ka filluar të bie pjesëmarrja e popullatës së re. Vlerësimet e Riinvestit flasin se që nga viti 1981, për shkak të efekteve të shpërnguljes së të rinjve dhe të familjeve të tyre nga Kosova, pjesëmarrja e grupmoshës deri në 19 vjeç në strukturën e popullatës së përgjithshme është në rënie e sipër – nga 52,3% në vitin 1981 deri në 48% në vitin 2001.

“Në të njëjtën kohë kemi rënie të lehtë të pjesëmarrjes së grupmoshës mbi 60 vjeç deri në vitin 1991 dhe rritje të lehtë të pjesëmarrjes së kësaj grupmoshe në vitet e mëpasme, gjë që pritet të jetë trend. Në suaza të kësaj grupmoshe vlerësohet se pjesëmarrja e atyre mbi 65 vjeç, do të dyfishohet gjatë 5 dekadave të ardhshme”, thuhet në këtë raport.

Qeveria në Prishtinë nuk paragjykon se çka do të ndodhë në këtë aspekt pasi, sipas Bahri Xhaferit, Kosova ka një shtim natyror të popullsisë.

Por në botën perëndimore ka vende të cilat i shqetëson dhe e trajtojnë me seriozitet punën e pensionistëve.

“Trajtimet e moshës së tretë në vende të zhvilluara variojnë bazuar në sisteme politike të cilat aplikojnë shtetet. Vendet me sisteme politike socialiste mbeten vendet më të preferuara për marrje të beneficioneve për mirëqenie sociale, siç janë shtetet skandinave dhe pjesërisht Kanada”, thotë punëtorja sociale, Valbona Bajrami.

Në Kosovë, sipas Bajramit, vërehet kahja e kapitalit monopol bazuar në qeverisje të kaluara, “ku nëse guxojmë të japim hipoteza futuriste, mosha e tretë do të vazhdojë të mbetet grup i margjinalizuar i shoqërisë, duke pas parasysh se sistemet kapitaliste kanë dështuar të ofrojnë trajtime të barabarta për këtë grupmoshë”.

Pensionistët e kanë të qartë se numri i pensionistëve në botën perëndimore është shumë i madh, prandaj edhe problemet janë të mëdha. Këtu te ne, sipas Berishës, ende kjo gjë nuk është problem pasi sipas një matematike që bën ai raporti i të punësuarve me pensionistë është shtatë me një.

“Nëse 312 mijë vetë janë të punësuar, e kam fjalën për ata që paguajnë në Trust, dhe ata i pjesëtojmë me 43 mijë pensionistë kontributpagues, kjo i bie se shtatë të punësuar e mbajnë një pensionist. Në disa vende perëndimore, për shembull, raporti është një me një, prandaj atje po kërkohet të rritet mosha e pensionimit”, thotë ai.

Florina Duli e ka një shpjegim se përse nuk po bëhet më shumë për mirëqenien e pensionistëve në Kosovë dhe përse nuk po mendohet si t’u qasemi atyre në të ardhmen.

“Pleqtë si kategori nuk janë joshës si votues, pasi mendohet se ata janë kategori për të cilën kur vjen puna te vota, vendosin anëtarët e tjerë të familjes”, thotë ajo.

 

Image

Image

 

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme