Në një shoqëri ku të ndihmosh veten është bërë një normë, duket se shumë pak njerëz kanë guximin për të kërkuar ndihmë. Disa njerëz turpërohen nga kërkimi i ndihmës. Ata hezitojnë që dikush tjetër ta dijë se ata nuk janë në gjendje të bëjnë diçka.
Njerëzit kanë frikë të kërkojnë ndihmë për shumë arsye por më e zakonshmja, veçanërisht në botën konkurruese të biznesit, ne frikësohemi se dikush do përdorë dobësinë tonë në të mirën e tyre.
‘’Ka një frikë të kuptueshme se nëse ndaloni gjendjen e mbrojtjes, ju do të lëndoheni,, ose ky informacion të cilin nuk e dini do të përdoret kundër jush’’, tha Garret Keizer, autori i Help: The Original Human Dilemma.
Mund të frikësoheni se nëse zbuloni pikat tuaja të dobësisë ato do të ndryshojnë mendimin e kolegëve për ju, ose se do të humbisni kontrollin ndaj situatës. Pas të gjithash, askush nuk dëshiron të duket i paaftë ose në nevojë. Por në realitet, ju mund të bëni më shumë dëm se sa të mira. Shumica e njerëzve gjejnë kënaqësi duke ndihmuar të tjerët nëse kjo gjë u kërkohet.
‘’Kur ne mbështesim njerëzit tjerë të jenë më të suksesshëm, ne zbulojmë mundësi për bashkëpunim që në fund na japin mundësinë të jemi më të suksesshëm edhe vetë’’, tha Janine Garner, autorja e From Me to We.
Përvetësoni qëndrimin se nëse i jepni dikujt mundësinë të shkëlqejë në të njëjtën kohë arrini qëllimin tuaj. Këtu janë disa këshilla që duhet t’i mbani në mendje kur vendosni të kërkoni ndihmë.
Jini të sinqertë
Mënyra më e mirë për të kërkuar ndihmë është që thjeshtë t’i tregoni personit tjetër se për çfarë keni nevojë. Tregohuni të sinqertë dhe me vetëbesim, dhe përdorni një qasje të drejtpërdrejtë.
Zgjedhni metodën më të mirë
Vendosni se a është më mirë të kërkoni ndihmë sy më sy apo përmes emailit ose telefonit. Komunikimi verbal shpesh është mënyra më e mirë nëse kërkesa juaj është e natyrës së ndjeshme.
Shikoni gjuhën e trupit
Kur kërkoni ndihmë sy më sy, vëzhgoni gjestet dhe gjuhën e trupit të personit tjetër. Këto mund t’ju tregojnë se a ndjehen ata rehat ose a hezitojnë t’ju ndihmojnë. Nëse ata nuk janë entuziastë, largohuni për shkak se ndoshta mënyra më e mirë është t’i kërkoni dikujt tjetër ndihmë.
Paguani për ndihmë
Mund të jetë më e lehtë të paguani për këtë ndihmë se sa ti kërkoni dikujt t’ua bëjë një nder. Për shkak se shpesh është e vështirë të bëni gjithçka vetëm, punësimi i dikujt mund t’ju japë kohë që të përmirësoni aftësitë tuaja.
Qëndroni të hapur ndaj pranimit të ndihmës
Kur jeni në nevojë, qëndroni të hapur ndaj ndihmës pa u ndjerë se duhet të ktheni atë nder ose të paguani borxhin.
Shprehni mirënjohje
Nëse dikush ju ndihmon, tregojuni atyre që jeni me të vërtetë mirënjohës. Shkruani një letër falenderimi, bëni një thirrje telefonike ose bëni diçka të veçantë për ta.
Herën tjetër kur të ndjeheni se duhet të kërkoni ndihmë, bëjeni atë. Mbani në mend, kjo nuk ju reflekton si një person, ose nuk do të thotë se jeni të paaftë ose joprofesionist. Do të thotë se ju jeni të fuqishëm, një person me vetëbesim i cili nuk frikësohet t’a pranojë se nganjëherë edhe ju keni nevojë për ndihmën dhe mbështetjen e njerëzve të tjerë për të arritur qëllimet tuaja personale apo ato të biznesit.