Në përgjithësi gratë në Kosovë jetojnë ne një varfëri të madhe për shkak se kanë shumë pak para dhe nuk trashëgojnë, raporton Ekonomia Online.
Gratë kanë vështirësi në hapjen të një biznesi si pasojë e mungesës së kolateralit. Kjo u bë e ditur në diskutimin me temën “Fuqizimi ekonomik i të rinjve/rejave” gjatë përmbylljes së projektit “Karavani i Dialogut”.
Luljeta Demolli nga Qendra Kosovare për Studime Gjinore, tha se vetëm 12 për qind e grave kanë qasje në tregun e punës dhe se në përgjithësi ato jetojnë në varfëri.
“Në përgjithësi gratë në Kosovë jetojnë ne një varfëri të madhe për shkas e kanë shumë pak para dhe nuk trashëgojnë. Ajo tha se vetëm 12 për qind të grave në Kosovë kanë qasje në tregun e punës. Shpeshherë ato i nënshtrohen familjes për shkak se janë të pa puna dhe nuk kanë një zgjidhje për të siguruar mirëqenien e tyre”, tha Demolli, raporton EO.
Ideal Hoxha, nga Rrjeti PEN, tha se shumica e grave në Kosovë dominohen nga burrat e tyre.
“Gratë në Kosovë përballen me paga të pabarabarta, problem tjetër është pushimi i lehonisë. Nga vizitat tona në terren shumica e grave në Kosovë janë të dominuar nga burrat. E dimë që nëpër fshatra ka probleme shumë më të mëdha”, u shpreh Hoxha.
Ndërsa Marija Stankoviq nga organizata Aktiv NGO, tha se gratë në veri të vendit ballafaqohen përafërsisht me praktika diskriminuese sikurse gratë në të gjithë Kosovën.
Por sipas saj, mos funksioni i të gjitha institucioneve në veri të vendit është pengesë për gratë ngase ato nuk kanë ku të drejtohen.
“Gratë në veri të Kosovës natyrisht që ballafaqohen me aspekte procedurale. Arsimimi në veri të Kosovës është pa pagesë dhe shumica e tyre kanë arsim të lartë. Praktikat diskriminuese që ballafaqohen gratë janë përafërsisht të njëjta në të gjithë vendin. Ajo që kemi pranuar apo që ka qenë ide e projektit ka qenë që të krijojmë kushte për pune praktike të grave. Në veri të Kosovës kemi problemin që nuk janë të gjitha institucionet funksionale dhe gratë nuk kanë ku të drejtohen”, tha Stankoviq.
Ky debat është organizuar në kuadër të aktiviteteve të “Karavanit të Dialogut”, organizuar nga Akademia e Dialogut për gratë e reja, raporton Ekonomia Online.
Ky karnavan ka udhëtuar në shumë qytete duke përfshirë Beogradin, Novi Sad, Bujanovcin, Preshevë, Gjilanin, Parteshin, Pejën dhe ka përfunduar në Prishtinë.
Karavani qëllim kryesor ka pasur rritjen e bashkëpunimit ndërmjet komuniteteve dhe adresimin e çështjeve gjinore.