Moska ka kundërshtuar një raport të ri të Organizatës Botërore të Shëndetësisë që tregon se sa i përket Evropës, në Rusi është shënuar numri më i madh i rasteve të reja të prekura nga virusi HIV.
Ministrja ruse e Shëndetësisë, Veronika Skvortsova u ka thënë gazetarëve më 29 nëntor se sipas statistikave shtetërore të Rusisë, numri i personave të prekur me virusin HIV është 85,802, dhe jo 104,000 si është pasqyruar në raport.
Ministria ruse e Shëndetësisë dhe Agjencia për Mbrojtjen e Konsumatorit në këtë shtet, Rospotrebnadzor, kanë thënë se të dhënat janë të njëanshme sepse më shumë persona testohen në Rusi për këtë virus sesa në secilin shtet tjetër në Evropë.
Në një deklaratë të përbashkët më 29 nëntor, zyrtarë të këtyre dy autoriteteve kanë thënë që më shumë se 30 për qind e popullatës së Rusisë testohet për virusin HIV, derisa në shtetet tjera evropiane nuk marrin pjesë më shumë se 10 për qind e popullsisë.
“Nëse numri i personave të testuar në Federatën Ruse do të ishte i njëjtë me shtetet tjera evropiane, shpërndarja e sëmundjes do të ishte më e madhe në Evropë se në Rusi”, është thënë në deklaratë.
Zyra evropiane e Organizatës Botërore të Shëndetësisë ka njoftuar më 28 nëntor se pothuajse 160,000 persona janë prekur nga virusi HIV në Evropë vitin e kaluar.
Sipas raportit të ri, rajoni i Evropës nuk do të arrijë synimet e përcaktuara nga Kombet e Bashkuara për të eliminuar këtë sëmundje deri më 2030.