“Mospunë, dembeli, marketing”, opozita me kritika për Përparim Ramën

Prishtinë | 14 Pri 2022 | 15:46 | Nga Ekonomia Online

Raporti i punës katërmujore të Komunës së Prishtinës në krye me Përparim Ramën që u publikua ditë më parë është duke u kritikuar nga opozita.

Arianit Beqiri nga Lëvizja Vetëvendosje në një intervistë për Klankosova.tv këtë e ka quajtur si raport të mospunës dhe të dembelisë.

“100 ditë janë bërë më 17 mars. Por, një muaj pas, Komuna dembele me kryetarin e saj përtac kanë vendosur që ta publikojnë një raport të tillë. Kjo është tallje. Mos puna është ofendim. Trajtimi i tillë ndaj qytetarëve është tallje. Ne nuk jemi të dëshpëruar sepse nuk kemi pritur diçka tjetër nga z. Përparim Rama e nga kabineti i tij”, ka thënë Beqiri për Klankosova.tv.

Komuna e Prishtinës, sukses në këtë raport e ka llogaritur lirimin nga pagesa e transportit të trafikut urban të Policisë së Kosovës, Forcës së Sigurisë së Kosovës, Zjarrfikësit dhe nxënësit e shkollave fillore të kryeqytetit.

AI këtë e konsideron si një diskriminim, pasi sipas tij nuk i prek të gjithë qytetarët njësoj.

“Meqenëse janë liruar policët, ata që jetojnë në Hajvali, transportin urban nuk e kanë të mbuluar nga Trafiku Urban, por nga kompani private të autobusëve. Pra, ata sërish duhet të paguajnë. E, shto faktin që këtu ka mungesë të analizës se kush është liruar nga kjo pagesë, sepse aty thuhet që përfitues nga kjo masë janë edhe nxënësit e shkollave fillore. Por, duhet t’i tregojnë z. Rama, këshilltarët e tij të shumtë, që këta nxënës kryesisht shkollën e kanë në afërsi të shtëpisë së tyre dhe në rast se janë më shumë se 4km larg, Komuna është e obliguar ta bëjë pagesën e transportit të tyre. Por, ky vendim është marrë për të ndërruar vëmendjen sepse është marrë në ditën kur do të diskutonim për rritjen e çmimit të taxive”.

Standard i ri është llogaritur edhe ora e diskutimit në Kuvendin e Komunës për dy seanca, Beqiri ka thënë se për këtë periudhë ka folur vetëm Lëcizja Vetëvendosje dhe se zyrtarët komunal aspak.

“5 muaj, 15 orë diskutim. I bie 3 orë në muaj. Mirëpo, edhe për ato dy seanca, diskutimin e kemi bërë ne, Kuvendi Komunal. Pra, nga këto 15 orë, 15 orë ishin kritika për mos punën, gjë që që po e karakterizon këtë ekzekutiv”,ka thënë Beqiri.

Shefi i asamblistëve të Aleancës për Ardhëmrinë e Kosovës, Bahri Gashi, ka theksuar se raporti i punës, është paraqitur si vazhdimësi e marketingut që Përparim Rama e ka nisë si kandidat për kryetar e pastaj vazhdon njëjtë edhe kur e merr pozitën deri në ditët e sotme.

Gashi në një interviste për Klankosova.tv ka thënë se ndër veprimet më të dëmshme në punën e Ramës është vendimi për anulimin e miratimit të Planit rregullues të hollësishëm për lagjen “Kalabria”.

” Vendim i kundërligjshëm duke mos pasë absolut parasysh dëmin që ju ka bërë qytetarëve dhe interesin e tyre. Ne si AAK-ë e kemi kundërshtuar dhe e kemi bojkotuar votimin. Po ashtu është edhe vendimi për anulimin e vendimit për miratimin e ndryshimit dhe plotësimit të pjesërishëm të bllokut urban “D2” në kuadër të Planit rregullues “Arbëria 3”, i miratuar me vendimin për plotësimin dhe ndryshimin, 01 nr. 35-94056, i dt. 04.05.201, ka qenë një ndër veprimet më të dëmshme që i ka marrë kryetari Rama”, ka thënë Gashi

Tutje, ai ka pohuar se lëvdata nuk duhen të thuren nga Komuna e Prishtinës për asfaltimin e rrugës “Muharrem Fejza”.

“Ndriçimi publik në shumë lagje të Prishtinës është tmerr, ka mungesë të madhe, dhe tash e 4 muaj apo 100 ditët e famshme nuk ka asnjë intervenim. Rruga Muharrem Fejza nuk është lavd është turp për Komunën e Prishtinës, dhe realisht flasim vetëm për gjysmën e rrugës, jo komplet rruga”.

Ndër tjerash, në raport përmenden edhe çmimet e taksive, Gashi për këtë ka thënë “Angazhimi i kryetarit me çmimet e taksive është i pa vend dhe i pakuptimtë në situatën që jemi, ai fillimisht përmes instrumenteve ligjore që posedon, ai duhet të merret me taksitë “Ilegalë” që e kanë humbur edhe kuptimin e fjalës ILEGAL, pasi ne i shohim çdo ditë, por të bëjë kushtimisht rregullimin e tregut të taksive, e jo të merret me çmimet e tyre”,ka thënë Gashi.

Raporti 23 faqësh përfshin periudhën nga 7 dhjetori i viti 2021 deri në 31 mars të vitit 2022.

Përparim Rama, ka thënë se ky raport është vetëm fillimi i punës së tij për këtë mandat në krye të Prishtinës.

Të ngjashme