Mostari, qyteti i ndarë i Bosnjës, do të mbajë zgjedhjet e para lokale në 12 vjetët e fundit të dielën. I ndarë mes boshnjakëve dhe kroatëve, që kishin luftuar për kontrollin e qytetit në vitet e ’90-a, Mostari s’ka mbajtur zgjedhje lokale që nga viti 2008, pasi dy grupet më të mëdha etnike paralizuan institucionet e qytetit.
Qyteti i më shumë se 100 mijë banorëve u bë simbol i luftës shkatërruese të Bosnjës në vitet e ’90-a, kur ura e saj e famshme u shemb. Ura u rindërtua në fillim të viteve të 2000-a, por qyteti mbeti i ndarë në baza etnike. Që nga fundi i luftës, perëndimi i qytetit popullohet nga kroatët, e lindja nga boshnjakët.
Për vite të tëra blloqet politike që përfaqësonin këto dy grupet më të mëdha etnike s’kishin gjetur gjuhën e pajtimit për zgjedhje, duke çuar në një situatë ku gjithçka funksiononte me shërbime të ndara në dy anët e lumit.
Data e zgjedhjeve të reja u caktua në qershor pas një marrëveshje që u ndërmjetësua nga ambasadorë të Bashkimit Evropian, amerikanë e britanikë. Kësaj i parapriu Irma Baralija, që përfaqëson një grup opozitar multi-etnik të quajtur “Partia Jonë”, e që kishte paditur Bosnjën në Gjykatën Evropiane për të drejtat e njeriut për këtë çështje. Gjykata më 2019 detyroi krerët e vendit që të pajtohen për të caktuar kushte të reja për zgjedhjet në qytet. Baralija beson se “ka shembur mitin” që individët s’mund të ndryshojnë sistemin. Ajo ka kërkuar tani nga votuesit që të dalin e të shfrytëzojnë të drejtën e tyre për votë të dielën.